E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndërtimi i 400 banesave sociale

Për të pastrehët e varfër të kryeqytetit duket se është ndezur një dritë shprese. Dje ka filluar zyrtarisht puna për ndërtimin e banesave të para sociale në zonën e ish-Uzinës së Autotraktorëve në Shkozë. Në këto banesa është parashikuar që të gjejnë strehë 400 familje kryeqytetase, të cilat figurojnë në listat e Bashkisë së Tiranës si kategori problematike. Ndërkohë që ndryshe nga më parë, këto banesa nuk do të shiten, por do të jepen me qira nga autoritetet bashkiake, duke aplikuar politikat dhe programet lehtësuese për të pastrehët në vështirësi sociale.

"Një çerdhe, kopsht, shkollë, hapësira kreative për fëmijët e deri në një qendër sociale do të vihen në dispozicion të banorëve, duke krijuar kështu të gjitha lehtësirat e mundshme dhe infrastrukturën e nevojshme për zhvillimin e jetës komunitare", shprehen përfaqësuesit zyrtarë të pushtetit lokal kryeqytetas. Ndërsa, kryebashkiaku Edi Rama i pranishëm në fillimin e këtyre punimeve e ka konsideruar këtë si një vizion të ri të strehimit social, që ai ka premtuar ta shtrijë në mbarë vendin.

"Politika jonë e re e strehimit fillon të jetësohet sot, me themelet e një lagjeje të re për të pastrehët. 400 apartamente të reja, me një kredi të negociuar me Bankën e Këshillit të Evropës, me një projekt të standardeve evropiane, për familje që pavarësisht se janë të varfra, meritojnë të jetojnë në një mjedis cilësor, meritojnë të jetojnë jo vetëm në një shtëpi, por edhe pranë një hapësire me çerdhe, kopsht, shkollë, qendër shëndetësore dhe park, deklaroi dje Rama. Ai ka premtuar që "nesër në qeverinë kombëtare dhe bashkë me qytetarët, do të mund të bëjmë një politikë të re të strehimit social në të gjithë Shqipërinë, në të gjitha qendrat urbane, ku kalvari shumëvjeçar i të pastrehëve do të marrë fund dhe ku një derë e re do të hapet për ato familje, të cilat nuk arrijnë dot të blejnë në treg, por për këtë arsye nuk mund të jenë jashtë kushteve të jetesës së një shoqërie normale".

Në fazën e parë të këtij projekti është parashikuar ndërtimi i 400 apartamenteve. 4500 metra katrorë do të jenë në dispozicion të bizneseve, me kushte lehtësuese për të zhvilluar biznese të vogla, me qëllim punësimin e familjeve të pastreha me probleme ekonomike e sociale dhe që kanë nevojë për t‘u punësuar, por edhe të qytetarëve të tjerë të Tiranës. Sipas përfaqësuesve të Bashkisë së Tiranës, fondet për financimin e këtij projekti janë 12 milionë euro, nga të cilat 6.347 milionë euro janë financim me kredinë e marrë nga Banka e Këshillit të Evropës, e cila do të shlyhet nga Bashkia e Tiranës. Kjo shumë do të përdoret për ndërtimin 400 apartamenteve me qëllim social. Përzgjedhja e familjeve përfituese do të bëhet bazuar në kriteret e përcaktuara në ligjin "Për programet sociale për strehimin e banorëve të zonave urbane", si dhe në vendimin e Këshillit Bashkiak Nr. 7, datë 05.02.2007 "Për miratimin e sistemit të pikëzimit për formularët e strehimit në Tiranë".

Por duket se me këtë variant të bashkisë nuk është dakord Ministria e Punëve Publike. Ata e kanë konsideruar gënjeshtër të Ramës prezantimin e këtij projekti që, sipas tyre, i takon kësaj ministrie. "Me një kredi të kontraktuar nga qeveria shqiptare, brenda programit të strehimit të MPPTT-së, në Tiranë filloi ndërtimi i 360 apartamenteve, pjesë e një kontingjenti për 1100 apartamente që do të ndërtohen në 8 qytete të vendit. Ndërtimi i këtyre apartamenteve duhej të kishte nisur muaj më parë, pasi paratë kanë qenë të gatshme dhe projektet kanë qenë të gatshme.

E vetmja gjë që ka munguar kanë qenë trojet, pasi politika e Ramës nuk ka troje për të pastrehët, por ka troje për klientët financiarë e politikë të kryetarit të bashkisë", thuhet në reagimin zyrtar të MPPTT-së.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›