E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis ndërtimin terminali i ri, në 2010 pret 1.5 milionë vetë

Me një sllovenishte “të pastër” kryeministri Sali Berisha ka përshëndetur presidentin e kompanisë “S.C.T d.d.” dhe fillimin e punimeve në terminalin e ri të pasagjerëve në Portin e Durrësit. 

DURRES/ OERD ULQINI

Ka qenë kjo surpriza e radhës së kryeministrit, ndaj shoqërisë prestigjioze, e cila i kurseu buxhetit të shtetit plot 7 milionë euro. Deri pak javë më parë shifra fillestare e këtij investimi mendohej të ishte mbi 20 milionë euro, por “in extremis” shfaqen sllovenët. Pas një maratone seancash fituesi i tenderit ndërkombëtar për këtë investim gjigand u shpall pala sllovene, e cila mori përsipër punimet me një kosto më të ulët se konkurrueset e tjera. Berisha u shpreh se, zbatimi i punimeve nga “S.C.T d.d.” ka sjellë kursimin e 7 milionë eurove. “Kjo është transparenca e vërtetë me fondet publike”, tha kryeministri në ceremoni. Në Portin e Durrësit do të punohet me tre turne gjatë 22 muajve të ardhshëm. Rreth 15.2 milionë euro investime, 63 mijë metra katror betonim, 2000 pasagjerë dhe 2000 automjete të përpunuara njëkohësisht. Janë këto disa prej të dhënave të terminalit të ri të pasagjerëve në Portin e Durrësit, ku kreu i qeverisë, Sali Berisha, preu shiritin e inaugurimit të kantierit. Berisha i shprehu dëshirën për ritëm sa më të lartë pune zbatuesit të këtij investimi. Ai iu drejtua presidentit të kompanisë sllovene me batutën: “Në Durrës është më e favorshme të punosh natën sesa ditën, pasi bën shumë vapë”. 17 prilli 2010 është data e përfundimit të punimeve. Sipas kryeministrit, ky port do të jetë fytyra evropiane e Shqipërisë, pasi ai do të ketë një kapacitet përpunues të krahasueshëm me atë të vendeve më të zhvilluara të kontinentit. Ky financim u mundësua nga bashkëpunimi i ngushtë i qeverisë shqiptare me investitorët e fuqishëm, si Banka Evropiane e Investimeve dhe Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Për të mos penguar ecurinë e përpunimit të mallrave dhe të pasagjerëve që vijnë nga Italia, është ngritur një terminal i përkohshëm, ngjitur me kantierin që përfshin një sipërfaqe prej 63 mijë metrash katrorë. Kjo zgjidhje do të mundësojë ecjen paralele të ndërtimit të terminalit dhe të linjave që lidhin Durrësin me Ankonën dhe Barin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›