E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis prishja e ndërtimeve pa leje në Ujin e Ftohtë

Një muaj më parë, "Fiks Fare" denoncoi vazhdimin e zaptimit të tokave në kodrën mbi Ujin e Ftohtë. Pas denoncimit për herë të dytë reagoi Bashkia e Vlorës me Inspektoratin Urbanistik Vendor dhe policinë bashkiake për prishjen e këtyre ndërtimeve pa leje. Filloi faza e parë e prishjes së ndërtimeve pa leje, që përfshinte prishjen e 22 ndërtimeve. Vetë kryeinspektori i Inspektoratit Urbanistik të Vlorës, Rudi Alikaj, tha për "Fiks Fare" se aksioni do të vazhdojë. Pasi deri tani në kodrën mbi Ujin e Ftohtë janë konstatuar 60 ndërtime pa leje. Gjatë dy viteve të fundit, në këtë kodër ka pasur një boom ndërtimesh pa leje. Të gjithë hodhën themele e ndërtuan vila me shpresën se do të legalizoheshin dhe do të merrnin në dorë certifikatën e pronësisë. Ndonëse u mendua se fluksi i ndërtimeve të reja u ul këtë vit, nga ana tjetër gropa për themele të reja hapeshin çdo ditë. Të gjithë shpresuan se do të legalizohen një ditë, meqë kush mundi të ndërtonte përpara fundit të vitit 2006, doli i fituar. Njerëz të veshur me pushtet apo njerëz që kanë para kanë hedhur themelet dhe kanë ngritur ndërtesa disakatëshe në kodrën mbi distriktin detar të këtij qyteti, pa pasur kurrfarë dokumenti pronësie apo leje ndërtimi. Gjithçka është bërë në kohë rekord për të hyrë në proces legalizimi dhe për të ligjëruar të gjitha ndërtimet pa leje. "Fiks Fare" e denoncoi këtë fenomen edhe dy vjet më parë. Prokuroria filloi hetimet për personat që hapnin sheshet e ndërtimit dhe që punonin si firma e Albert Alliajt. Por pas amnistisë së firmosur nga Presidenti i Republikës dhe hetimi u pushua që në prokurori. Më pas, për shkak të kalimit të kompetencave nga policia ndërtimore në inspektoratin e ndërtimit pra shkrirjes së tij dhe kalimit të inspektoratit në varësi të pushtetit vendor, çështja u harrua, ndërkohë që masakra në kodrën mbi distriktin detar të Vlorës vazhdonte çdo ditë. Kësaj radhe ka reaguar Inspektorati i Ndërtimit që filloi aksionin për prishjen e 22 ndërtimeve pa leje, aksion që do të vazhdojë edhe te ndërtimet e tjera.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›