E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër dhe Korçë, vdesin në aksident dy gra

SHKODËR Një 30-vjeçare ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti automobilistik të ndodhur në qytetin e Shkodrës. Arta Dani është përplasur me një automjet kamion në afërsi të sheshit të rrethrrotullimit në hyrje të qytetit të Shkodrës në lagjen “Xhabije”. Gruaja ka qenë duke lëvizur me biçikletë dhe sipas dëshmitarëve okularë ka dalë befasisht në rrugën kryesore. Një mjet kamion tip Volvo, që drejtohej nga shtetasi Edmond Ftoni, 33 vjeç, nga fshati Hajmel, dhe që lëvizte në krahun e duhur jo me shpejtësi, e ka goditur 30-vjeçaren me pjesën e prapme të spondës, ndërsa ajo bënte kthesën. Aksidenti ka ndodhur në orën 13.30. Dëshmitarët e shumtë okularë kanë shpjeguar se kamioni i ngarkuar me inerte ka qenë duke lëvizur ngadalë dhe se dalja e befasishme e gruas me biçikletë nga prapa kamionit ka sjellë përplasjen e saj teksa nuk ka mundur të frenojë apo të spostohet. Ajo është dërguar me shpejtësi në spitalin e Shkodrës, ku sapo ka hyrë në sallën e operacionit ka humbur jetën si pasojë e plagëve të marra. Policia ka ndaluar drejtuesin e mjetit, i cili nuk është larguar nga vendi i aksidentit. Ky është aksidenti i dytë me pasojë vdekjen i ndodhur në Shkodër në katër ditët e fundit, ku të dielën në aksin Juban-Mjedë humbi jetën 19-vjeçarja Gilberta Marku, që ishte pasagjere në një motoçikletë që u përplas me një autoveturë. Në Korçë, një grua ka gjetur vdekjen, ndërsa një tjetër është plagosur paraditen e djeshme, pasi janë përplasur nga një automjet. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në aksin rrugor Korçë-Polenë, ku një makinë e cila drejtohej nga 21-vjeçari Andi Mata ka përplasur dy kalimtare dhe për pasojë ka gjetur vdekjen 73-vjeçarja Sofie Merolli dhe është plagosur 67-vjeçarja Feride Merolli. Menjëherë e plagosura është dërguar në spitalin e Korçës ku po merr edhe ndihmën mjekësore, ndërsa policia ka arrestuar drejtuesin e mjetit. Gjithashtu, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›