E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis projekti që trajnon mjekët për menaxherë

Konkretizohet akoma më shumë kërkesa e ministres së Shëndetësisë, Godo, për t’i bërë mjekët menaxherë. Pas marrëveshjes së nënshkruar me ambasadorin amerikan Withers dhe marrjes së fondit nga USAID-i, mjekët do të fillojnë të specializohen për t’u bërë menaxherë.

Mjekët

Do të bëhen menaxherë të mirë dhe drejtues spitali. Për këtë stafi i qendrave shëndetësore në 5 prefektura të vendit po i nënshtrohet një trajnimi në kuadër të projektit “Pro shëndetit”, një projekt 3-vjeçar i USAID-it, me vlerë 5 milionë dollarë, që do të përfundojë në vitin 2009.

Projekti i fundit i Ministrisë së Shëndetësisë synon që të aftësojë mjekët edhe në njohuritë ekonomike. Kjo, pasi ministrja Godo kërkon që mjekët të drejtojnë spitalet vetëm pasi të kenë marrë këto aftësi.

Ndaj projekti “Pro shëndetit”, i cili ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së shërbimit në sistemin parësor dhe rritjen e eksesit për shërbimet në këtë sistem, ka përfunduar në prefekturën e Beratit dhe është duke u zbatuar në 5 prefekturat e tjera të vendit: Shkodër, Dibër, Vlorë, Lezhë, Korçë.

Gjatë këtij viti, sipas burimeve nga ISKSH-ja, trajnimet e para u organizuan me drejtues dhe menaxherë të qendrave shëndetësore në 5 rajone të vendit. Në to u diskutuan çështjet lidhur me kontraktimin mes sigurimit shëndetësor dhe qendrave shëndetësore, si dhe matjen dhe vlerësimin e indikatorëve të performancës dhe të cilësisë së shërbimit.

Problematika e debatuar konsistoi në elementet e paketës bazë të shërbimeve shëndetësore, sidomos ato që prekin shëndetin e gruas dhe kujdesin shëndetësor riprodhues si dhe për rastet urgjente.

Ndërkohë, turit të dytë të trajnimeve, që lidhet me sistemin e informacionit shëndetësor në të gjithë vendin, iu nënshtruan mjekët e familjes dhe përgjegjësit për informacionin shëndetësor për çdo qendër shëndetësore në 5 prefektura të vendit: Korçë, Berat, Dibër, Shkodër, Lezhë, ndërsa në prefekturat e tjera në trajnim morën pjesë mjekët e familjes dhe infermierët e vaksinimit.

ISKSH-ja konsideron se "eksperienca pozitive e këtij viti do të shërbejë si një pikënisje e mirë për vitin e ardhshëm me qëllim uljen e ngarkesës administrative të punës së mjekut dhe rritjen e kërkesës për më shumë cilësi në dhënien e shërbimit ndaj pacientëve".

QSUT, rifillojnë operacionet e planifikuara

Në Qendrën Spitalore Universitare "Nënë Tereza" në Tiranë, që prej ditës së hënë kanë nisur operacionet e planifikuara.

Burime nga QSUT-ja thanë se "aktualisht situata paraqitet normale, falë dhe bashkëpunimit me Ministrinë e Shëndetësisë". Sipas të njëjtit burim, të gjitha sallat kirurgjikale në repartet e shërbimeve në QSUT janë në gjendje pune. Për sa u përket medikamenteve, burimet sqaruan se është siguruar baza materiale e nevojshme, që ka lidhje me medikamentet, si dhe kanë filluar të vijnë furnizimet e barnave që janë tenderuar disa kohë më parë.

Drejtoria e QSUT-së e konsideroi gjendjen e krijuar kohët e fundit si pasojë të administrimit joeficent të procedurave të prokurimit të medikamenteve dhe fajësoi për këtë stafin e mëparshëm.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›