E Diel, 1 Nëntor 2026

Nis viti shkollor, 50 mijë nxënës ulen për herë të parë në banka

E shoqëruar nga e ëma, Edionilda me çantën e saj të parë, hyn në shkollën “Pjetër Budi” në Tiranë. “Në fillim e kishte me qejf, po u tremb pak kur pa gjithë këta njerëz”, – na tha Vasilika Çurrashi, e ëma e gjashtëvjeçares. Edionilda nuk pranoi të fliste nën zallamahinë e dyndjes së nxënësve në shkollën nëntëvjeçare “Pjetër Budi” në kryeqytet. Ajo është një ndër 50 mijë nxënësit që do të shkelin për herë të parë këmbën në shkollat publike dhe private, e një nga 440 mijë nxënësit që vijojnë mësimet në vendin tonë.

Shkolla e saj këtë vit është rindërtuar dhe në ndryshim nga ata që largohen për në gjimnaz, duket se Edionilda do të ketë mundësi të mësojë në kushte më të mira. Ajo i përket brezit që do ta ketë të pandashëm internetin në shkollë, e që kompjuteri do të jetë thjesht një vegël më shumë për të mësuar. Edhe ministri i Arsimit mendon se kjo do të jetë veçoria e këtij brezi. “Libri dhe interneti do të jenë shokët tuaj të përditshëm”, - deklaroi z. Fatos Beja në mesazhin e tij për fillimin e vitit të ri shkollor.

Por, ky vit nuk ka nisur mirë ngado. Në tri shkolla në vend, në Lezhë, Lushnjë dhe Fier mësuesit dhe prindërit kanë zgjedhur që të mos zhvillojnë asnjë ceremoni për ditën e parë të mësimit. Në të kundërt, nën praninë e asnjë përfaqësuesi nga drejtoritë arsimore dhe zyrtarët shtetërore, ata kanë vendosur të protestojnë për mangësitë që kanë shkollat ku duhet të përballen edhe gjatë vitit të ri shkollor.

Beja: Viti 2008, viti i internetit

Me rastin e ditës së parë të shkollës, ministri Beja vizitoi shkollën “Pjetër Budi”, për të përuruar një nga 453 kabinetet e informatikës të hapura gjatë këtij viti në shkollat bazë, 9-vjeçare.

“Në sajë të bashkëpunimit midis qeverisë shqiptare dhe PNUD-it në shkollat e mesme dhe 9-vjeçare janë sot në funksionim 739 kabinete informatike. Ndërsa në kurrikulën e këtij sistemi arsimor, për herë të parë, do të implementohet edhe lënda e informatikës në klasat 6-9, me mësues të trajnuar posaçërisht për këtë qëllim”, - deklaroi ministri Beja.

Gatë fjalës së tij, ai theksoi rëndësinë e internetit në shkolla, duke u bërë të qartë nxënësve se interneti do të jetë në krahë të librit për sa i përket zhvillimit të njohurive. “Libri dhe interneti do të jenë shokët tuaj të përditshëm”, - deklaroi z. Beja.

Ministria bëri të ditur se në dy vitet e fundit, për herë të parë në buxhetin e arsimit, u parashikua në zë më vete pajisja e bibliotekave të shkollave me libra plotësues. “Mbi 60 milionë lekë u përdorën për këtë qëllim në arsimin bazë. Në vitin e ardhshëm nga buxheti i shtetit është parashikuar që të përdoren 70 milionë lekë për pajisjen e bibliotekave të shkollave të arsimit parauniversitar me libra të reja”, - premtoi ministri.

Sipas tij, Shqipëria ka nevojë të rrisë me shpejtësi dhe cilësi shkollarizimin e të rinjve. Sot janë 560 mijë nxënës që vijojnë studimet në shkollat e arsimit parauniversitar të të gjitha kategorive, publike dhe private.

Bojkoti

Por, jo në të gjitha shkollat situata ishte e ngazëllyer. Në tri shkolla të ndryshme të vendit mësuesit dhe prindërit vendosën të protestonin.

Kështu në shkollën 9-vjeçare “4 dëshmorët” në qytetin e Lushnjes, nuk është kryer mësim, por mësues, nxënës e prindër kanë protestuar gjatë gjithë ditës së parë të vitit shkollor. Protesta është zhvilluar nga sindikata e arsimit në rreth, në lidhje me mungesën e investimeve në rreth.

Të njëjtin qëndrim kanë mbajtur edhe mësuesit e nxënësit në zona të tjera të vendit, duke protestuar në këtë mënyrë për mungesën e investimeve në arsim dhe për situatën jo fort të kënaqshme të shkollave në vend.

Mirëseardhja

Nxënësit mes entuziazmit, dëshirës apo edhe përtesës, u është dashur të bëjnë një rikthim të detyruar. Takimi mes shoqërive të reja dhe atyre të vjetra, oborret e shkollave në të gjithë vendin gumëzhinin nga zërat e tyre. Pas periudhës së pushimeve verore, qindra nxënës kanë hapur edhe këtë vit të ri arsimor.

Por, pas atmosferës entuziaste dhe tepër të gëzueshme që mbizotëronte në fytyrat e nxënësve, shkollat e tyre fshihnin fasadën e vjetër. Kjo mbetet vetëm në pamje të parë. Ndonëse kaloi dita e parë, nxënësit kanë hyrë nëpër ambientet e shkollave të tyre dhe kanë mbetur të zhgënjyer.

Ajo përbrenda ka mbetur e njëjta. Të njëjtat banka të shkatërruara, dritaret pa xhama, dyert e vjetra dhe banjat pa ujë, janë pamjet që ofrojnë shumë e shkolla kryeqytetase në brendësinë e tyre.

E sikur të mos mjaftonte kjo, shumë nxënës janë përballur me bërjen e mësimit edhe me turn të dytë, si dhe me paqartësi në marrjen e librave të rinj shkollorë. Realiteti zhgënjyes ka mbërthyer të gjithë nxënësit e shkollave të vendit. Kjo, pasi një pjesë e mirë e tyre janë në ndërtim e sipër, e disa të tjera nuk e përballojnë dot fluksin e nxënësve. Me sa duket, edhe ky vit i ri shkollor ka filluar mes problemeve dhe kaosit.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›