Banorët e Tropojës: Mos shkatërroni pyjet
Rrugët e reja që po ndërtohen në zonën veriore të vendit, duket se kanë krijuar edhe një situatë jo fort të kënaqshme, ku qytetarë presin ahet shekullore të zonës. Ky veprim ka sjellë edhe reagimin e banorëve të rrethit të Tropojës që kanë kërkuar ndërhyrje sa më të shpejtë nga qeveria dhe autoritetet lokale për të parandaluar shfrytëzimin pa kriter të pyjeve në zonë. Në një denoncim për gazetën “standard”, Skënder Hoxhaj shprehet se rruga Çerem-Vranicë-Markofçe po shkatërron bredhat dhe ahet e zonës, duke krijuar një dëm të pallogaritshëm ekonomik dhe mjedisor. “Shfrytëzimi i pyjeve në mënyrë të pakontrolluar prish bukurinë, shkatërron ekuilibrin natyror, pra, dhe eliminon mundësinë e zhvillimit të turizmit në përgjithësi. Më mirë pa rrugë se me pyje të rrafshuara. Për ndalimin e kësaj masakre duhet penguar menjëherë prerja e pyjeve nga individë të cilët të prirur nga interesi i tyre personal, po shkatërrojnë këtë perlë të natyrës shqiptare” – shprehet ai. Banorët e zonës kërkojnë ndërhyrje të shpejtë dhe efikase nga autoritetet shtetërore.