E Hënë, 2 Nëntor 2026

Nis puna për KZE dhe kandidatët

10/02/2005  Kryetarët e rretheve të Partisë Socialiste kanë marrë urdhër nga Sekretari i Përgjithshëm i kësaj partie, Gramoz Ruçi, të fillojnë urgjentisht punën për krijimin e strukturave të komiteteve zonale elektorale. Burime në PS-së kanë theksuar, për "Metropol", se Ruçi ka zhvilluar takime me kryetarët e degëve për t'u njohur me punën që është bërë deri tani në rrethe për zbatimin e kalendarit politik të përcaktuar nga Komiteti i Përgjithshëm Drejtues disa javë më parë. Aktualisht procesi i krijimit të KZE-ve nuk është zhvilluar sipas kalendarit politik të PS-së, për shkak të bllokimit të punës në ndarjen elektorale. Pavarësisht kësaj, Ruçi ka urdhëruar strukturat e PS-së që të fillojnë punën për të përzgjedhur kryesitë e KZE-ve, duke zbatuar parimin "një anëtar, një votë". Me të njëjtën procedurë do të bëhet dhe përzgjedhja e kandidaturave për deputet,. Komitetet Zonale Elektorale do të administrojnë të gjithë procesin e përzgjedhjes së listës së kandidatëve të PS-së për zgjedhjet e përgjithshme të kësaj vere. Pas hartimit të listës së kandidatëve për deputetë nga KZE-të, do të jetë Kongresi i PS-së ai që do të japë aprovimin përfundimtar për 100 kandidatët e kësaj partie. Ndërkohë, strukturat e rretheve po punojnë për verifikimin e anëtarësisë socialiste.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›