E Hënë, 2 Nëntor 2026

"Të përgatitet programi i qeverisë"

10/02/2005  Gramoz Ruçi mbledh 13 kryetarët e komisioneve të KPD-së për strategjinë elektorale

Përgjigje KOP-it. Kryetarët e KPD-së në tryeza me Shoqërinë Civile për platformën

Sekretari i Përgjithshëm i PS-së, Gramoz Ruçi, ka mbledhur kryetarët e të 13 komisioneve të KPD-së, ku u ka kërkuar nisjen e punës për përgatitjen e strategjisë së PS-së, në zgjedhjet parlamentare. Burimet thanë se ky projekt do të i jetë i vlefshëm për qeverinë e ardhshme, në rast se socialistët do të fitojnë zgjedhjet. Duket se në kundërpërgjigje të KOP-it të PD-së socialistët kanë zgjedhur një tjetër formulë për projektet elektorale. Kryetarët e Komisioneve do të kenë detyrë që të zhvillojnë tryeza me përfaqësues të Shoqërisë Civile, ku, pasi të diskutohen çështjet më shqetësuese, do të jepen dhe zgjidhjet, që më pas do të zbatohen nga qeverisja e ardhshme e PS-së.

Projekti

Platforma elektorale e PS-së do të jetë pjesë e debateve të hapura me intelektualë, akademikë dhe përfaqësues të Shoqërisë Civile. Kryetarët e 13 komisioneve të përhershme të KPD-së të PS-së do të zhvillojnë kështu 13 diskutime në tryeza të hapura me Shoqërinë Civile shqiptare për të thithur mendimin intelektual dhe për ta adoptuar më pas në politikat socialiste. Takimet priten të zhvillohen gjatë këtyre ditëve, ku çdo tryezë do të identifikohet sipas profilit të komisioneve të KPD-së. Zhvillimi i tryezave të tilla bashkëbiseduese mes kryetarëve të komisioneve dhe figurave të Shoqërisë Civile pritet të sjellë një detajim të programit të PS për ta afruar dhe për ta bërë sa më të kuptueshëm për publikun. Burime në selinë socialiste thanë, për "Metropol", se këto tryeza do të kenë funksion për të afruar sa më shumë Shoqërinë Civile me vendimmarrjen e PS-së.

Tryezat

Ekepertë nga fusha të ndryshme do të diskutojnë pranë komisioneve të KPD-së për të hartuar ministrategjitë elektorale të Partisë Socialite. Akademikët dhe pedagogët e fakulteteve, intelektualë nga fusha të ndryshme, përfaqësues të Shoqërisë Civile gjatë këtyre muajve do të rrisin bashkëpunimin me strukturat për të finalizuar platformën elektorale të kësaj partie. Kjo platformë do të marrë miratimin e Kongresit, i cili do të zhvillohet në muajin prill. Bashkëpunimi mes komisioneve të KPD-së, botës akademike dhe Shoqërisë Civile do të sjellë orientim më të mirë të politikave dhe adoptimin e tyre nga strukturat e PS-së në këtë prag zgjedhjesh. Në këto tryeza, një vëmendje të veçantë do t´i kushtohet strategjive që do të përdoren nga PS-ja në sektorë të tillë si arsimi, shëndetësia, ekonomia, bujqësia marrëdhëniet me jashtë, integrimi, antikorrupsionin etj. Në këto tryeza, vëmendja do të jetë e përqëndruar veçanërisht në Problemet Elektorale. Gjithashtu, komisioni i marrëdhënive me publikun do të hartojë në bashkëpunim me përfaqësuesit e Shoqërisë Civile një projekt të veçantë për punën, që do të ndiqet me mediat, me shoqërinë civile në tërësi dhe organizmat e ndryshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›