E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nis puna për riparimin e ujësjellësit

22/12/2008  Qeveria 10 milionë lek nga fondi emergjencave

SKRAPAR - Në paraditen e djeshme ka nisur puna për riparimin e ujësjellësit të qytetit të Çorovodës të rrethit të Skraparit i shkatërruar nga prurjet e lumit të Tomorricës 48 orë më parë. Burime nga Drejtoria e Ujërave të qytetit të Çorovodës bëjnë me dije se paraditen e së shtunës ka nisur nga puna riparimi i tubacionit të shkëputur nga prurjet e rrëmbyeshëm të këtij lumi për pasoj e të cilit kanë mbetur pa u furnizuar me ujë të pijshëm për më shumë se tre ditë. Drejtori i ujërave, Luan Çuedari, që i referohet edhe lajmit, tha për gazetën se ka qenë ndihmë e ndërmarrjes të bordit të kullimit Berat ajo që ka ndihmuar me mjetet e saj ekskavator, fillimin e riparimit të ujësjellësit. Po i njëjti burim pohon se për realizimin e këtij riparimi Ministria e Brendshme ka akorduar një fond prej 10 milionë lek nga fondi i emergjencave. Nënprefekti Skraparit, Fadil Kapllani, tha për gazetën se qytetit i Çorovodës me 8 mijë banor ka tre ditë që furnizohet me ujë të pijshëm nga 5 autobote të ardhur nga rrethet Durrës, Berat e Kuçovë. Kapllani pohon se në fillim mjetet furnizojnë me ujë të pijshëm spitalet dhe të gjitha institucionet shëndetësore, furrat e bukës dhe lokalet e shërbimit, ndërsa më pas po këto mjete që punojnë për më shumë se 20 orë në ditë furnizojnë edhe popullatën. Mjetet në fjalë për furnizimin e popullatës janë të ndarë në të 5 lagje nga një mjet. Kjo situatë pohon Kapllani do të zgjas deri në momentin që do të përfundoj riparimi rrjetit të ujësjellësit që faktikisht me ndihmën e mjeteve të bordit të kullimit të qarkut ka filluar nga puna që ditën e djeshme. Fillimin e punimeve për riparimin e këtij rrjeti ujësjellës po e ndjekin nga afër dy drejtorët Luanë Çuedari e Bujar Dhembo. Të dy drejtorët në një prononcim për gazetën pohuan se për 3 ditë 8 mijë banorëve të qytetit të Çorovodës do të rikthehet uji në çezmat e tyre si më parë. Ndonëse po punohet në terren të vështirë për arsye se ende lumi i Tomoricës ka prurje të mëdha, mjetet që janë vënë në dispozicion për riparimin e rrjetit do të përfundoj brenda një kohe rekord.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›