Nis samiti i G8 në Akuila
Samiti i 7 vendeve më të industrializuara të botës dhe Rusisë ka nisur punimet në Aquila të Italisë në vazhdën e kritikave dhe protestave anti globalizim. Në ditën e parë, liderët pjesëmarrës kanë gjetur një pikë të përbashkët, kunder proteksionizmit të sistemit financiar dhe pro mbikqyrjes së tregjeve globale. Udhëheqësit e G8 janë dakord se nevojiten instrument të përshtatshëm për të parandaluar një tjetër krizë ekonomike dhe për të garantuar që aktivitetet financiare të mos çojnë në derdhje të panevojshme të parave. Në dy ditët në vazhdim liderët pjesëmarrës do të diskutojnë në lidhje me urinë në botë dhe mbrojtjen e klimës. Nga samiti është larguar Presidenti kinez Hu Jintaoi për shkak të trazirave në vend. Por Italia vendi organizator i këtij samiti është vënë në qendër të kritikave të mediave botërore, të cilat e akuzojnë Romën për neglizhencë në programacion dhe mungesë pushtetit për të nxjerrë diçka nga kjo mbledhje. Në fakt sipas Nju Jork Times, do të jetë pikërisht presidenti Barak Obama që do të drejtojë këtë samit duke i dhënë një shtysë pozitive e duke mos lejuar që këto tre ditë të kthehen në një humbje kohe. Por Silvio Berluskoni ka fituar edhe një tjetër kritik mediatik, bëhet fjalë për gazetën The Guardian që prej ditësh, shkruan se Italia do të dalë nga grupi i G8 dhe do të zëvendësohet nga Spanja.