Niset në Heart Kontigjenti i 6-të Paqeruajtës
Tiranë, 14 janar NOA - Në Brigadën e
Reagimit të Shpejtë në Zall-Herr u zhvillua sot ceremonia e përcjelljes së
Kontigjentit të 6-të Paqeruajtës, që do të kryejë misionin e radhës në Herat të
Afganistanit.
Në këtë ceremoni mori pjesë
edhe ministri i Mbrojtjes Arben Imami, i cili gjatë fjalës së tij, ka
përshëndetur trupat pjesëmarrëse duke shprehur bindjen se ky mision do të jetë
pjesë e sukseseve të Forcave të Armatosura Shqiptare, në misionet paqeruajtëse
kudo në botë.
Natyrisht është nder, por edhe përgjegjësi
e madhe për ju, sepse do të përfaqësoni një vend anëtar të NATO-s, mbi të
gjitha vlerat dhe detyrimet që rrjedhin nga ky fakt. Ju po shkoni në mision në
një kohë kur Forcat e Armatosura janë angazhuar fuqimisht për përballimin e
situatës së krijuar nga përmbytjet në ultësirën veriperëndimore të vendit, -
është shprehur Imami.
Në këtë kontekst, ai i ka drejtuar një
falënderim të veçantë gjithë ushtarakëve, të cilët i janë përgjigjur me
një gatishmëri maksimale situatës së pazakontë në Shkodër e Lezhë, duke
demonstruar kështu se janë forcë profesionale, e denjë përkrah vendeve të
NATO-s.
Kontigjenti 6-të është pjesë e Batalionit
të 2-të Këmbësorisë, i cili vepron në përbërje të Brigadës së Reagimit të
Shpejtë dhe përbëhet nga një kompani prej 112 oficerësh, nënoficerësh dhe
ushtarësh profesionistë.
Ai do të zëvendësojë Kontigjentin e 5-të
dhe do të vazhdojë të kryejë misionin e tij në bazën ushtarake të
Heratit, në kuadër të misionit ISAF të NATO-s, nën drejtimin e komandës
italiane.
Misioni do të zgjasë gjashtë muaj, i
fokusuar në detyra të tilla si: ruajtjen, mbrojtjen dhe sigurimin e bazës
ushtarake në Herat, të personelit të saj, infrastrukturës dhe pajisjeve të
tjera të kësaj baze të rëndësishme ushtarake, si dhe detyra të tjera në interes
të këtij operacioni paqeruajtës ndërkombëtar.
Ky mision është vazhdim i 30 misioneve të
kryera nga Brigada e Reagimit të Shpejtë dhe i gjashti në Herat të
Afganistanit, në mbështetje të operacioneve paqeruajtëse kundër terrorizmit.
k.k/NOA