E Diel, 1 Nëntor 2026

Tafaj në Londër: Tekst të veçantë për fëmijët në emigracion dhe trajnim të mësuesve

Në Britaninë
e Madhe jetojnë rreth 100 mijë emigrantë shqiptarë, prej të cilëve 1000 janë
fëmijët që mësojnë gjuhën dhe historinë e Shqipërisë në klasat shqipe

Londër, 15 Janar NOA Një tekst të veçantë
për fëmijët në emigracion dhe trajnim të mësuesve atje. Premtimin e ka bërë Ministri
i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj i cili mori pjesë në Forumin Botëror
Të mësuarit dhe Teknologjia që u zhvillua në Londër me pjesëmarrjen e 75
vendeve të botës dhe Ministrave të Arsimit.

Tafaj ka shkuar në Londër, me ftesë të
Sekretarit të Shtetit për Fëmijët, Shkollat dhe Familjen, të Mbretërisë së
Bashkuar, Hon Ed Balls, dhe Sekretarit të Shtetit për Biznesin, Inovacionet dhe
Aftësitë, Rt Hon Lord Mandelson, në Forumin Botëror për Teknologjitë e
Informacionit dhe Komunikimit në Arsim, që po zhvillohet në Londër, nga 11-16 janar 2010.

Forumi Botëror për Teknologjitë e
Informacionit në Arsim është veprimtaria më e madhe në botë në nivelin e Ministrave
të Arsimit, ku shkëmbehen mendime dhe eksperienca për strategjitë dhe politikat
e zhvillimit të teknologjive në arsim.

***

Gjatë vizitës së tij në Londër, Ministri Tafaj
u takua me Forumin e Komunitetit Shqiptar në Angli të përbërë nga 14 shoqata.
Ata operojnë projekte të ndryshme për të gjithë komunitetin shqiptar jashtë
atdheut, por kryesisht në shkollat shqipe atje.

Pasi u njoh me situatën e mësimdhënies dhe
mësimnxënies të fëmijëve shqiptarë që jetojnë në Angli, Ministri i Arsimit dhe
Shkencës premtoi shumë shpejt përgatitjen e një teksti të veçantë për nxënësit
shqiptarë atje.

Do të hartojmë me një grup ekspertësh si dhe
më angazhimin e mësuesve emigrantë, një tekst të veçantë dhe të mirëfilltë të
librave të Abetares dhe Historisë së Shqipërisë, për ta qenë sa më tërheqës për
fëmijët që jetojnë dhe mësojnë jashtë Shqipërisë, - tha Tafaj.

Duke e vlerësuar si një nga pikat kryesore të
axhendës së Kryeministrit Berisha, për ti ardhur në ndihmë komuniteteve
shqiptare kudo që ndodhen, Z. Tafaj, theksoi se, ky tekst do të jetë i hartuar
në nivele bashkëkohore dhe në bazë të teknologjisë së informacionit.

Ministri Tafaj, shpjegoi se shumë shpejt do të
shpallet konkurs për të përzgjedhur autorët që do të hartojnë këto tekste.

Nga ana
e tyre përfaqësuesit e Forumit të Komunitetit Shqiptar në Angli, sugjeruan
futjen në sistemin shkollor të gradës së notës së gjuhës amtare. Ata kërkuan
gjithashtu edhe mbështetjen e MASH-it për trajnime të të gjithë mësuesve që
japin mësim në klasat shqiptare jashtë vendit.

Ministri i Arsimit dhe Shkencës shprehu
angazhimin e tij se do të intensifikohet më tej trajnimi nga ana e specialistëve të MASH-it, për ti ardhur në
ndihmë rreth 100 mësuesve shqiptarë që japin mësim në klasat shqiptare në
Angli.

Në Britaninë e Madhe jetojnë rreth 100 mijë
emigrantë shqiptarë, prej të cilëve 1000 janë fëmijët që mësojnë gjuhën dhe
historinë e Shqipërisë në klasat shqipe.

Në ambientet e Ambasadës Shqiptare në Londër,
Ministri Tafaj u takua edhe me studentët shqiptarë që studiojnë në
Universitetet Britanike.

Duke u ndalur në pjesëmarrjen e të rinjve
shqiptarë në Fondin e Ekselencës, z. Tafaj, theksoi objektivin e institucionit
të arsimit në Shqipëri, ku çdo student shqiptar të ndjehet një student i
mirëfilltë europian.

Rëndësi të veçantë Ministri Tafaj i kushtoi
edhe bashkëpunimit midis Universiteteve, duke krijuar mundësinë e dhënies së
leksioneve nga lektorët shqiptarë jashtë vendit në Universitetet tona,
nëpërmjet video-konferencave.

e.b/r.b/NOA

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›