Nishani: Draft për strategjinë e reformës në drejtësi
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, priti dje reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Shqipërinë, të cilët i informoi se në kuadër të reformës në drejtësi, ministria ka hartuar një draft të plotë për këtë reformë. Ministri i njohu reporterët me hapat e ndërmarrë në kuadër të reformës në drejtësi, me miratimin e ligjeve shumë të rëndësishme për funksionimin e drejtësisë në vend, si dhe hapat e rinj që po hedh Ministria e Drejtësisë për të plotësuar rekomandimet e dala nga progres-raporti i Bashkimit Evropian për Shqipërinë. “Aktualisht Ministria e Drejtësisë ka hartuar një draft për strategjinë e reformës në drejtësi, i cili ka nevojë për përmirësim, si dhe të diskutohet me grupet e tjera të interesit”, - tha ministri në takim. Në kuadër të kësaj strategjie është miratuar ligji “Për organizimin e administratës gjyqësore” si dhe është në proces projektligji “Për organizimin e Këshillit të Lartë të Drejtësisë”. “Për miratimin e këtyre ligjeve të rëndësishme, opozita nuk duhet të jetë e pranishme vetëm në aspektin formal, por ajo duhet të bëhet pjesë edhe e konsensusit politik për ecurinë e reformës në drejtësi”, - tha më tej Nishani. Në kuadër të luftës kundër korrupsionit, ministri Nishani i njoftoi reporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për hartimin dhe miratimin e afërt në Parlament të ligjit antimafia, i cili është rindërtuar, për shkak të disa problemeve që janë hasur në sekuestrimin e pronave të vëna në rrugë të jashtëligjshme pas një vendimi njësues të Gjykatës së Lartë. Ky ligj, sipas ministrit, i bërë edhe me asistencën e misioneve ndërkombëtare, synon të ndajë hetimin penal nga hetimi mbi pasurinë. Në kuadër të nismave antikorrupsion të qeverisë shqiptare, ministri Nishani i informoi reporterët për objektivat e tij për thjeshtimin e procedurave administrative dhe dixhitalizimin e shërbimeve që ofrohen nga institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Zbatimi i ligjit nga organet e drejtësisë, trajnimi i gjyqtarëve me kuadrin e ri ligjor ishin çështje të tjera të bisedës mes palëve.