Topalli: Po pres opozitën në Kuvend
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, takoi dje reporterët e KiE-së David Wilshire dhe Jako Lakso, takim në të cilin kryeparlamentarja riftoi opozitën të zërë vendet në Kuvend. Duke u ndalur në këtë moment, Topalli tha se në mënyrë të përsëritur u ka drejtuar deputetëve të opozitës që të vijnë e të zënë vendet e tyre në Parlament, pasi kjo është shumë e rëndësishme për vendin, sepse, “siç kemi provuar edhe më parë, - tha ajo, - Parlamenti është vendi i negociatave dhe i konsensusit”. Reporterët vlerësuan bashkëpunimin e deritanishëm të kryetares Jozefina Topalli dhe të Kuvendit të Shqipërisë me Këshillin e Evropës, duke shprehur besimin për thellimin e raporteve shumë të mira. Duke u ndalur në zgjedhjet e fundit në Shqipëri, kryetarja e Kuvendit falënderoi të gjithë vëzhguesit ndërkombëtarë për punën e tyre të jashtëzakonshme. Ajo vlerësoi raportin e Këshillit të Evropës, i cili thekson se “procesi zgjedhor në 93 për qind të qendrave të votimit u vlerësua mirë dhe shumë mirë” dhe se “zgjedhjet parlamentare në Shqipëri shënuan një progres të dukshëm.” Kryetarja e Kuvendit tha se këto zgjedhje, edhe sipas raportit përfundimtar të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR-it u certifikuan si "zgjedhje që plotësuan angazhimet kryesore të OSBE-së", duke shprehur kënaqësinë se këto zgjedhje ishin zgjedhjet më të mirat që Shqipëria ka pasur, duke përmbushur kështu synimin për plotësimin e standardeve.