Pakti detar, Halimi: Do të rrëzohet kërkesa e PS-së
Gjykata Kushtetuese do të rrëzojë ankesën e PS-së për mosmiratimin e marrëveshjes së ndarjes së ujerave territoriale mes Shqipërisë dhe Greqisë, mendon deputeti i Partisë Demokratike Eduard Halimi. Ish-Avokati i Shtetit Shqiptar mendon se marrëveshja është tërësisht ligjore dhe nuk ka asnjë argument për rrëzimin e saj. “Gjykata Kushtetuese nuk mund të bënte gjë tjetër veçse ta nxirrte jashtë kompetencës së vet shqyrtimin e këtij ligji, qoftë me një motiv apo qoftë edhe me motive të tjera të cilat do t’i shqyrtonte. Kjo u jep të drejtë të gjithë ekspertëve të qeverisë dhe jo ekspertëve sharlatanë, të cilët u përpoqën të bënin furtunë kot të hidhnin ide mbi vjedhje, mbi tradhtarë apo mbi shitës së ujit apo të territorit shqiptar; i hedh në kosh të gjitha pretendimet e atyre sharlatanëve të cilët donin të ngrinin gardhe mbi det, gardhe mbi ujë, ashtu siç kishin bërë edhe etërit e tyre komunistë para shumë e shumë vjetësh. Kjo tregon edhe një herë qartë se qeveria ka qenë transparente, ka pasur një proces tërësisht të rregullt e ligjor dhe i hap rrugë Parlamentit për të vazhduar me miratimin e një marrëveshjeje, e cila, sikurse doli, është shumë e ligjshme”, - shpjegoi Halimi. Deputeti i PD-së dha këtë deklaratë pas kthimit të kërkesës së PS-së dhe aleatëve të saj nga Gjykata Kushtetuese për plotësim dokumentacioni. Në Gjykatën Kushtetuese 6 partitë opozitare kishin dërguar vetëm 1 copë letër, ndërsa Gjykata u kërkoi statutet dhe certifikatën e regjistrimit si parti në Gjykatë.