Nishani: Duhet të luftojmë migracionin ilegal dhe të nxisim atë legal
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani veçoi bashkëpunimin midis vendeve të ndryshme, si ndihmesë në krijimin e politikave të reja për migracionin. Gjatë fjalës së tij në konferencën e organizuar nga OSBE me temë "Menaxhimi i Migrimit dhe lidhja e tij me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore ne përfitim te stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e OSBE- së", ministri Nishani vlerësoi faktin se menaxhimi efektiv i migrimit inkurajon migrimin legal, që ka një impakt social ekonomik jo vetëm për vendin e origjinës, por edhe për vendin destinacion dhe atyre të tranzitit.
Menaxhimi i Migrimit dhe lidhja e tij me politikat ekonomike, sociale dhe mjedisore në përfitim të stabilitetit dhe sigurisë në rajonin e OSBE- së, është një nga çështjet me interes të lartë për rajonin dhe Shqipërinë, e cila ndër vite ka përballur dhe vazhdon të përballë sfidat e migracionit, u shpreh ministri i Brendshëm. Duke iu drejtuar përfaqësuesve të rreth 50 shteteve pjesëmarrëse në forumin e 17- të, të OSBE- së për ekonominë dhe mjedisin, Ministri Nishani ka theksuar se kriza financiare krijon një kontekst, ku mirëqenia afatgjatë nuk mund të konsiderohet më si e mirëqenë. Kriza financiare me të cilën po përballemi krijon një kontekst, ku mirëqenien afatgjatë nuk mund ta konsiderojmë më si të mirëqenë. Përkundrazi duhet të jemi të përgatitur për të qenë reagues në mënyrë të përbashkët përkundrejt çdo sfide, theksoi Nishani. Gjatë fjalës së tij, ministri i Brendshëm, ka vlerësuar përmirësimin e kanaleve për migrimin legal, ku sipas tij reduktimi ilegal do të luftonte të gjitha aktivitetet ilegale të lidhura me këtë fenomen. Ministri Nishani është ndalur edhe tek menaxhimi i kufijve. Përmirësimi i kanaleve për migrimin legal dhe reduktimi i migrimit ilegal do të luftonte të gjitha aktivitetet ilegale të lidhura me këtë fenomen. Në këtë aspekt një rol të rëndësishëm do të luante realizimi i një menaxhimi efektiv të përbashkët të kufijve dhe bashkëpunimi ndërinstitucional, theksoi ministri i Brendshëm. Ai e vlerësoi të rëndësishme këtë konferencë jo vetëm për çështjet që ajo do të trajtojë, por edhe për impaktin e politikave të migrimit, politikave ekonomike, sociale, mjedisore, e zhvillimit si rrjedhojë e emigracionit. "Ne duhet të adoptojmë një përqasje gjithëpërfshirëse, shumëdimensionale dhe bashkëkohore, të përgjithshme kundrejt sfidave aktuale", theksoi ministri Nishani, duke veçuar faktin se formulimi i politikave të migrimit sipas tij duhet të realizohet mbi vlerësime të sakta të realitetit ekonomik,duke përfshirë dhe parashikimet e nevojave të tregut të punës. Ministria e Brendshme dhe OSBE bashkëorganizojnë në Tiranë për dy ditë me radhë, Konferencën e II Përgatitore të Forumit të 17 të OSBE- së për Ekonominë dhe Mjedisin.