E Diel, 1 Nëntor 2026

Senatorët italianë, Berishës: Mbështesim Shqipërinë në anëtarësimin në BE

Italia mbështet proceset integruese të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Një rikonfirmim i tillë është dhënë nga përfaqësuesit më të lartë të delegacionit italian në Asamblenë Parlamentare të NATO- s, gjatë takimit që kanë pasur me kryeministrin Berisha. Senatorët Franko Marini dhe ish- kryeministri Lamberto Dini, përgëzuan Kryeministrin Berisha dhe qeverinë e tij për vendosmërinë në reforma që shndërruan vendin dhe i  hapën rrugën anëtarësimit në NATO në një kohë rekord dhe që do të lehtësojnë edhe procesin e integrimit të vendit në BE. Nga ana e tij, Kryeministri theksoi se Shqipëria po kalon një moment historik, anëtarësimi në NATO, proces i cili nuk do të kishte qenë i mundur pa mbështetjen e plotë të Italisë në çdo aspekt. Kryeministri Berisha i njohu senatorët italianë me ecurinë e reformave të rëndësishme, me luftën me tolerancë zero kundër korrupsionit dhe krimit, me hapat në drejtim të zhvillimit ekonomik dhe shfrytëzimit të risorsave të shumta të Shqipërisë dhe me veçanërisht në krijimin e një klime sa më të favorshme për investimet e huaja. Gjithashtu, senatorët italianë e vlerësuan Shqipërinë si një vend me interes për kompanitë italiane, interes i cili nuk ka njohur dhe nuk do të njohë rënie, me gjithë krizën ekonomike, ndërsa kanë veçuar bashkëpunimin në fushën e energjisë. Kreu i qeverisë njohu senatorët me ofrimin e madh që kompanitë e mëdha italiane kanë bërë drejt Shqipërisë duke i garantuar mbështetje për ta. Delegacioni kryesohej nga Kryetari në Asamblenë Parlamentare të NATO-s, Sergio De Grigorio, me pjesëmarrjen e ish- Kryeministrit dhe Ministrit të Jashtëm të Italisë, senatorit Lamberto Dini, ish- Presidentit të Senatit Italian, senatorit Franco Marini, dhe ambasadori i Italisë në vendin tonë, zoti Saba DElia.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›