Senatorët italianë të NATO, takime në Tiranë
Delegacioni i lartë i senatit italian, i cili po vizion vendin tonë në prag të anëtarësimit në NATO, është pritur dje në kryesinë e Kuvendit, nga anëtarë të delegacionit homolog shqiptar. Kryetarët e Komisionit të Sigurisë, e Komisionit të Jashtëm dhe të NATO-s, Pandeli Majko, Leonard Demi dhe Preç Zogaj kanë zhvilluar takime me zyrtarët italianë, ku pjesë e delegacionit ishte edhe ish-ministri i Jashtëm italian, Lamberto Dini.
Gjatë takimit nga ana e delegacionit italian është garantuar mbështetja e Italisë në procesin e integrimit evropian të vendit. Senatorët thanë se me zhvillimin e saj impresionues, Shqipëria do të jetë një vlerë e shtuar brenda NATO-s. Duke vënë në dukje reformat e ndërmarra nga qeveria, senatorët italianë vlerësuan transformimin e vendit, që sipas tyre po përmbush standardet europiane. Këtë vlerësim, senatorët italianë, figura të njohura të skenës politike në Itali, bënë edhe gjatë takimit me kryetarin e Komisionit të Ligjeve, Ilir Rusmali, senatorët italianë diskutuan për përballimin e përbashkët të sfidave të vendit, në rrugën drejt anëtarësimit në NATO.