E Diel, 1 Nëntor 2026

Kryebashkiaku Rama: I rëndësishëm reduktimi i mbetjeve urbane

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Edi Rama ka zhvilluar dje një takim me studentët e Universitetit Marin Barleti, i cili në fushatën e përbashkët mjedisore Për reduktimin e mbetjeve urbane, të iniciuar nga Bashkia e Tiranës dhe promovuar pranë Pavionit të Xhamtë, në sheshin Skënderbej, mori iniciativën për të organizuar aktivitetin Ora e hapur për mjedisin. Kryebashkiaku vuri theksin te sensibilizimi kryesisht i brezit të ri, për një bashkëpunim dhe pjesëmarrje të gjerë të tyre në këtë nismë, duke synuar ndërgjegjësimin e njëkohësisht promovimin e sjelljes së përgjegjshme qytetare ndaj mjedisit, përmes ideve, nismave, projekteve, organizatave si dhe partnerëve të kësaj iniciative mjedisore. Duke vënë theksin në rëndësinë e fushatës mjedisore, të konceptuar si një Forum i hapur Qytetar i mendimit dhe Veprimit. Kryetari i Bashkisë Edi Rama u shpreh se një nga aspektet e kësaj problematike është aspekti i domosdoshmërisë për reduktimin e mbetjeve urbane. Sot, në Shqipëri mbetjet urbane janë ende të pareduktuara dhe të pareduktueshme. - Çdo të thotë kjo? - Do të thotë që ne ende nuk kemi hyrë në epokën ku familja e madhe europiane, apo të gjitha vendet që e shohin trashëgiminë ndaj gjeneratave të tjera si pjesë të detyrimeve të veta, kanë hyrë prej kohësh në epokën e riciklimit të mbetjeve urbane, që do të thotë një reduktim i këtyre mbetjeve dhe një transformim i një pjese të konsiderueshme të tyre, në funksion vazhdimësisë së jetës, në funksion të vazhdimësisë së marrëdhënieve tona me atë që konsumojmë, për ta kthyer një pjesë të konsiderueshme të asaj që konsumojmë, përsëri në funksion të konsumit tonë. Thënë ndryshe, ne synojmë të reduktojmë mbetjet urbane deri në 100 kg për banor. Kjo është një domosdoshmëri, në kushtet kur prodhojmë gjithmonë e më shumë mbetje, ku jemi gjithnjë e më shumë të kërcënuar, nga pasojat e mosreduktimit të tyre, - deklaroi Rama. Ai evidentoi se ka shumë mënyra dhe funksione, që përmes reduktimit të mbetjeve, ne mund të vazhdojmë të kryejmë, në shërbim të komunitetit dhe në shërbim të individit. Sigurisht që në radhë të parë, këtu kërkohet informim dhe kërkohet njohje nga afër e të gjithë kësaj problematike, ende tërësisht të panjohur për Shqipërinë.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›