E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD me aleatët 55.4 përqind, PS me aleatët 28.9 përqind, LSI 10.9 përqind

Sodazhi online i gazetës SOT
Në një sondazh të bërë nga gazeta SOT nëpërmjet faqes së saj online,  ku në 9927 klikime, 5495 prej tyre mendojnë se fitues i zgjedhjeve të vitit 2009 do të jetë Partia Demokratike me aleatët e saj,  2870 klikime janë për fitoren e Partisë Socialiste me aleatët,  1081 klikime janë pro LSI me aleatët e saj, ndërkohë që vetëm 476 klikime janë të pavendosur. Në bazë të përqindjes së këtij sondazhi rezulton që Partia Demokratike me aleatët e saj  të ketë 55.4 përqind të klikimeve, Partia Socialiste me gjithë aleatët të ketë 28.9 përqind të klikimeve dhe LSI të ketë  10.9 përqind të klikimeve. Nga të gjitha klikimet  vetëm 4.8 përqind nuk kanë vendosur se kujt do i japin votën. Pra nga sa rezulton nga ky sondazh me vlera modeste i gazetës SOT,  vëmë re se PD është shumë përpara nga PS ndërkohë që LSI vazhdon të ngelet forcë e tretë politike duke u konfirmuar se tashmë po konfigurohet si një pol i tretë në politikën shqiptare. Ky sondazh në fakt është sondazhi i tretë i gazetës SOT. Sondazhi i parë është zhvilluar në vitin 2003, ku sipas parashikimeve të gazetës SOT Edi Rama dilte fitues i Bashkisë së Tiranës mbi rivalin e tij Spartak Ngjela. Sondazhi i dytë i gazetës Sot është bërë  në zgjedhjet e vitit 2005, ku tre ditë para zgjedhjeve gazeta SOT nëpërmjet sondazhit të saj me 1980 persona parashikoi fitoren e Partisë Demokratike. Interesantja e këtij sondazhi ka qenë parashikimi i votave të LSI ku gazeta SOT parashikoi që kjo forcë politike do të merrte 8.23 përqind duke pasur një marzh 1 përqind të gabimit. Ndërkohë që edhe parashikimi i votave të PD dhe PS në zgjedhjet e vitit 2005 ka qenë në marzhe të ulëta gabimi. Sondazhi  i sotëm i faqes online,  në fakt nuk pretendohet që të ketë saktësi optimale pasi është një sondazh që organizohet specifikisht me lexuesit e gazetës SOT, e cila nuk është dalluar për ndonjë pikëpamje të caktuar politike, duke ruajtur pavarësinë absolute editoriale  pa ndonjë përkatësi partiake. Duke qenë se edhe lexuesi i kësaj gazete bën pjesë në atë grup lexuesish që e shikojnë politikën në përgjithësi me sy kritik, nuk pretendohet që të përfshihen militantët e partive të ndryshme. Realisht sipas mendimit të stafit të gazetës një pjesë e atyre që klikojnë në këtë sondazh i përkasin elektoratit gri i cili shpeshherë është deçiziv në vendosjen e balancës përfundimtare në përcaktimin e fituesve gjatë votimeve. Duke dashur të mos të krijojmë ndonjë pështjellim me sondazhet si ato të tipit Zogby, të cilat janë bërë me punonjës së Partisë Socialiste, apo ato të Gani Bobit që janë bërë  me simpatizantë të PS, lexuesit mund të konfirmojnë se mënyra e votimit është shumë transparente dhe mund të shikohet në faqen online të gazetës Sot, www.sot.com.al

Email This Klikime: 18

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›