E Diel, 1 Nëntor 2026

Baraj: TEC-i i Porto Romanos, ndotje masive tej normave te lejuara

Sekretari për çështjet e mjedisit në PS, Besnik Baraj reagoi dje ndaj ndërtimit të Tec-ve gjigande me qymyr, fabrika çimentoje, Rafineri nafte, në rajonin Tiranë-Durrës-Krujë, duke u shprehur se kjo sjell ndotjen e mjedisit përreth nga përdorimi i qymyrit. Kjo nuk është një politikë zhvillimi e qëndrueshme për rajonin e kryeqytetit, që në vijë ajrore distancat nga këto objekte ekstremisht ndotës janë 15-25 km,- u shpreh Baraj. Sipas tij, politika e Berishës kërkon të impresionojë Shqiptarët me investimet shumë miliardshe, kur sot shqiptarët duan të dinë, sa vendi përfiton prej tyre, a dëmtohet mjedisi, a komprometohen kapacitetet e tjera ekonomike, si ndikojnë ato në shëndetin e banorëve? Sa kohë studime të tilla nuk janë bërë, sa kohë studimet nuk u janë servirur shqiptarëve, investime të tilla janë të papjekura dhe natyrshëm të bëjnë të mendosh se ka afera korruptive. Sipas Baraj, PS  akuzon qeverinë Berisha për mungesë transparence, spontanitet dhe mosmarrje të mendimit të komunitetit në të gjitha iniciativat për ndërtimin e TEC-ve dhe fabrikave të çimentove. Ai u shpreh se si pasojë e djegies së 11 mijë ton qymyr në ditë, prej oxhaqeve të TEC-it të Porto Romanos, do lirohen më shumë se 8 milion ton gaz karbonik në vit, aq sa prodhohet sot në total në Shqipëri. Do lirohen okside azoti, squfuri,  grimca që qëndrojnë  pezul në ajër  të cilat dëmtojnë shëndetin e e njerëzve. Sfida nuk është në letër, por në praktikë,- vijoi Baraj. Ai konstatoi se sot në qendër të Durrësit, sipas Institutit të Shëndetit Publik, niveli i grimcave të ngurta që qëndrojnë pezull në ajër eshtë 100 mikrogram\m3, kur norma maksimale e lejuar sipas BE është 40 mikrogram\m3. Pra, edhe pa u ndërtuar kjo fabrikë, durrsakët jetojnë në kushte jo të shëndetshme. Qeveria Berisha, sipas tij, nuk e merr parasysh efektin akumulues te aktivitetit të TEC-it kur nga oxhaqet e tij nuk pretendohet të emetohet më pak se 10 mg\m3 grimca pezull. Sipas ekspertëve, Shqipëria ka nevojë për një TEC me kapacitet 400 MV. Ndërkaq, në strategjinë kombëtare të energjisë ky TEC ishte parashikuar të bëhej me gaz ose naftë në Vlorë, duke qenë mjaft më miqësor me mjedisin. Baraj u shpreh se vetëm në vitin 2007 në USA nuk janë dhënë lejet mjedisore për 50 TEC-e të tillë dhe 59 të tjerë janë në proces gjyqësor. Në vende të ngjashme me Shqipërinë, si Sllovenia, Kroacia, Maqedonia, Mali i Zi, këto investime janë të papranueshme përsa i përket kapacitetit dhe përdorimit të qymyreve. Nëse për arsye strategjike duhet të investosh në një industri që ka impakt mjedisor agresiv, tha ai ndërtoje me kapacitet minimal për të minimizuar ndotjen ndërkohë që kapaciteti i TEC-it në Porto Romano është 1600 MV. Kostoja mjedisore e komplekseve të tilla  është  shkatërruese. Partia Socialiste vlerëson dhe mbështet çdo investim, i cili siguron një zhvillim të qëndrueshëm e përmirëson progresin ekonomik, pa kompromentuar kapacitetet ekonomike alternative, si turizmin dhe zhvillimet e tjera rajonale, si dhe cilësinë e mjedisit ku bëhet investimi,- theksoi Baraj.

Email This Klikime: 1

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›