Nishani: Lufta kundër korrupsionit në institucionet e drejtësisë, prioritet i mandatit tim
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani flet për prioritetet e punës së tij dhe i bën thirrje opozitës të kthehet në Parlament dhe të marrë përgjegjësitë e saj për realizimin e reformave
Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, i bën apel opozitës për hyrjen në Parlament dhe marrjen përgjegjësive të saj, për realizimin e reformave, përfshirë edhe ato në drejtësi, që kërkojnë një konsensus të gjerë politik. Duke drejtuar apelin e tij, gjatë një interviste televizive, Nishani shprehet midis të tjerave se, “argumentet që sot janë më se të qarta dhe të hapura për futjen e opozitës në parlament janë të tilla që do ta bëjnë të qenësishme dhe të vetëdijshme opozitën në marrjen e vendimeve politike për të cilat ajo ka përgjegjësinë e saj”. Në intervistën e tij, Ministri i Drejtësisë Bujar Nishani, flet edhe për objektivat kryesore të kësaj ministrie, në këtë mandat ët dytë qeverisë. Në qendër të gjithë objektivave dhe prioriteteve kryesore, qëndron sipas Nishanit, kalimi në procedura transparente për të eliminuar abuzimin dhe korrupsionin. Në funksion të këtij kryeobjektivi, Nishani shpjegon si do te jenë nën drejtimin e tij, institucionet në varësi të Ministrisë së Drejtësisë si, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyrat e Përmbarimit, Institucionet e Vuajtjes së Dënimit dhe të tjera institucione në varësi të Ministrisë së Drejtësisë. Jo vetëm kaq, por Ministri i Drejtësisë paralajmëron më tej edhe ngritjen e një grupi pune të përbashkët me përfaqësues nga gjyqësori,Këshilli i Lartë i Drejtësisë, Dhoma e Avokatisë, organi i Prokurorisë për zgjidhur çështjen e zvarritjes së proceseve gjyqësore. Ai deklaron se do të bëjë ndryshimet e duhura në legjislacion “në mënyrë që kushdo që do të tentojë të abuzojë me procedurën, ti ketë hapësirat të mbyllura”. Ministri Nishani flet edhe për marrëdhëniet dhe bashkëpunimin me Këshillin e lartë të Drejtësisë, marrëdhënie sipas të cilit do të ndërtohen në bazë të hartimit të një legjislacioni solid të standardeve. Institucioni që ju drejtoni ka si qëllim hartimin e shumë ligjeve, inspektimin e gjyqësorit prokurorisë, kontrollin e profesioneve të lira por ka nën varësisë dhe drejtimin e shumë institucioneve shumë të rëndësishme, si institucionet e Vuajtjes së Dënimit, Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave etj... Cilat janë objektivat tuaja në krye të kësaj Ministrie? Normalisht jo vetëm për mua por për çdo ministër pikësynimet dhe objektivat përputhen me ato çka reflektohen në programin e qeverisë që maxhoranca në parlamenti ka votuar. Drejtësia është një sfidë shumë e madhe sepse lidhet drejtpërdrejti me proceset më të rëndësishme të Shqipërisë, me proceset integruese. Në se do të kalojmë në çështjet konkrete marrëdhëniet me gjyqësorin, institucionet e drejtësisë në tërësi sinkronizimi dhe bashkëpunimi brenda kuadrit të përgjegjësisë institucionale që ligji përcakton për çdo institucion më vete, pra që do të thotë, më thjesht përmbushja e detyrimeve të gjithë secilit përballë legjislacionit, përballë sfidave, përballë kërkesës së opinionit publik. Besoj që është një detyrim, por jo vetëm, por edhe një kontribut. Pra, në këtë sens unë besoj që, le të themi, shpesh herë dhe pse jo iniciativat e Ministrisë së Drejtësisë dhe institucioneve të saj të varësisë për të rritur këtë lloj bashkëpunimi në sensin e përmbushjes së detyrimeve të gjithsecilit, përbëjnë një sfidë, një sfidë e cila ka të bëjë me harmonizimin e punës. Së dyti, që është një çështje e rëndësishme, është fakti që shumë nga institucionet e varësisë në Ministrinë e Drejtësisë janë të lidhura drejtpërdrejti me shërbimet ndaj publikut dhe duke pasur parasysh në këtë kontekst fakti që shërbimi ndaj publikut është një prioritet i pandryshuar i kësaj qeverie mendoj se do të fokusohemi ngushtësisht jo vetëm në plotësimin e pjesës së legjislacionit apo të akteve të tjera të nevojshme që duhen për të përmbushur, në se ka nevojë apo hapësira të munguara por, përgjithësisht dhe kryesisht qartësimin e procedurave. Shpesh herë paqartësia në procedura lë vend për zvarritje të procesit, le vend për tentativa abuzimi nga përfaqësuesi i administratës, rrjedhimisht kemi të bëjmë me veprën e korrupsionit. Dhe së treti ajo që është më e rënda me mospërmbushjen e përgjegjësisë ndaj qytetarit dhe mos realizimit të përmbushjes së interesit nga ana e qytetarit. Për të qenë më konkret e kam fjalën këtu për disa nga institucionet shumë të rëndësishme që janë nën varësinë e Ministrisë së Drejtësisë, siç janë Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave, apo Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Zyrat e Përmbarimit që merren me ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë. Pra në tërësi besimi i publikut fillon dhe tronditet cenohet ku sheh që institucionet e ngarkuara me ligj për të ofruar shërbimin ndaj tyre, nuk përmbushin së pari përgjegjësinë dhe së dyti kur shohin që procedura në vend që ta lehtësojë marrjen e shërbimit e komplikon e vështirëson dhe krijon hapësira për akte abuzimi nga përfaqësuesi i institucionit në raport me qytetarin, apo me interesin e qytetarit. Unë jam i bindur me aq kohë pas kam pasur këto ditë, dhe në konsultë me bashkëpunëtorët e mi që me të cilët mendoj të ndërtojë një punë harmonike, duhet dhe po punojmë për të përcaktuar disa prioritete, prioritet kyçe, gjithmonë në varësi të atyre objektivave që ka programi i qeverisë. Kështu që rikthimi i besimit të publikut në sistemin gjyqësor, në tërësinë e sistemit të drejtësisë, ka të bëjë jo vetëm me angazhimin e Ministrisë së Drejtësisë por edhe disa institucione të tjera që janë jashtë sistemit të ekzekutivit dhe kjo do të arrihet besoj përmes një bashkëpunimi, bashkërendimi dhe harmonizimin të veprimtarisë dhe nxitjes së ndërsjellët të zbatimit të përgjegjësive dhe detyrimeve që ligji i ngarkon çdo institucioni. Së dyti është shumë e rëndësishme transparenca në procesin e administrimin të një procesi gjyqësor. Kjo ka të bëjë me një angazhim të drejtpërdrejtë edhe të institucioneve të ekzekutivit, e kam fjalën për Ministrinë e Drejtësisë dhe institucionet e tjera. Në duhet të ofrojmë te publiku një proces krejtësisht të mundshëm për t’u verifikuar, për t’u parë nga opinioni publik por edhe nga individi. Së treti dokumentimin dhe përfshirjen në një arshivë të dixhitalizuar të procesi gjyqësor në mënyrë të tillë që në çdo kohë apo përballë çdo pretendimi të ketë mundësi individi apo grupe të interesuar për të verifikuar procesin dhe procedurën. Për fat të keq shpesh herë procedura shfrytëzohet për të krijuar nuanca abuzimi apo akte abuzimi. Çështjet e tjera që kanë të bëjnë me ofrimin e shërbimit nga agjenci që janë nën varësi të Ministrisë, që lidhen me shërbimet, unë besoj që dixhitalizimi i këtyre shërbimeve apo dixhitalizimi i fondit apo i procesit i cili e ofron këtë shërbim ngushton maksimalisht aferat e korrupsionit e sorollatjes të qytetarëve e shqiptarë. Në se ne arrijmë duke implementuar këtë lloj filozofie që procedura të ngushtojë abuzimin apo korrupsionin, është më e lehtë më pas pjesa e supervizionit, kontrollit, evidentimi i tyre për marrë më pas masa penalizuese për këdo që dhunon ligjin dhe nuk zbaton detyrimet që ligji i ngarkon. Sistemet e vuajtjes së dënimit kanë nevojë për rritjen e sigurisë së mëtejshme por edhe krijimin e kushteve në respekt të lirive dhe të drejtave themelore të qytetarit. Natyrisht që objektivat dhe ambiciet e Shqipërisë janë në proceset integruese evropiane dhe ne duhet të arrijmë standardet e një shoqërie evropiane. Në këtë aspekt në Shqipëri sot ka një numër qytetarësh që vuajnë dënimet e tyre brenda institucioneve të vuajtjes së dënimit por nga ana tjetër ata janë edhe nën proces rehabilitimi, që do të thotë që i duhen ofruar të gjitha kondicionet të parametrave njerëzor, shoqëror, social, psikologjik, arsimor në mënyrë të tillë, që shtetit t’i ofroj mundësinë që krahas vuajtjes së dënimit të një vepre penale një individ të këtë mundësinë të përafrohet me parametrat e shoqërisë kur ai të këtë kryer këtë detyrim ndaj ligjit. Disa proceseve gjyqësore janë kthyer në procese maratonë. Në këtë fakt këtu duket se drejtësia dështon. A do ketë nga ana e Ministrisë së Drejtësisë një hap për rregullimin e gjendjes, a do të nxitet Dhoma e Avokatisë për marrjen e masave disiplinore ndaj avokatëve? Detyrimisht duhet të ketë dhe kjo do të jetë faza e angazhimit të ndërsjellët. Kjo dukuri nuk mund të analizohet në mënyrë të njëanshme, por mbi të gjitha duhet të prevalojë përcaktimi ligjor. Personalisht i besoj shumë funksionimit të ligjit. Nëse në hartimin e një legjislacioni të caktuar, ligjor apo nënligjor, shpesh herë për një apo tjetër arsye mbeten hapësira ku për shkak të pjesë procedurale shfrytëzohen jo në interes të zbatimit të ligjit por ikjes nga zbatimi i ligjit, atëherë kjo është një çështje që duhet riparë domosdoshmërish. Çështja e shtyrjes së seancave gjyqësore padyshim që është kthyer në shqetësim e bërjes së drejtësisë, e zbatimit të drejtësisë. Në kuadër të kësaj problematike unë mora një takim me Drejtuesit e Dhomës së Avokatisë në Shqipëri, një shqetësim i cili ekziston tek ata, sepse i lidh puna drejtpërdrejtë me aktivitetin e përditshëm të avokatëve. Në këtë kontekst ne kemi menduar të shikojmë një amendim të legjislacionit përmes një grupi pune të përbashkët të Ministrisë së Drejtësisë por edhe palëve të tjera të interesit, në mënyrë të tillë që të përcaktohet se cila do të jetë ndërhyrja në këtë amendim dhe legjislacion për të ngushtuar të gjitha hapësirat që mund të përdoren për të abuzuar me procedurën. Në se parimi kryesor ai i ofrimit të mbrojtjes në respekt të legjislacionit vendas por edhe të jurisprudencës së Strasburgut ofrohet, unë mendojë që është realizuar çështja themelore. Më pas në se ka abuzime procedurale atëherë këto duhen mbyllur me akte ligjore dhe nën ligjore të përcaktuara mirë. Kemi rënë dakord që ky është një shqetësim i përbashkët, besoj se në ditët që vijnë do ta konkretizojmë këtë shqetësim përmes një grupi pune të përbashkët me përfaqësues nga gjyqësori, me përfaqësues nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë, me përfaqësues nga Dhoma e Avokatisë, organi i Prokurorisë. Besoj se do të jetë një iniciativë e Ministrisë së Drejtësisë në mënyrë të tillë që të përcaktojmë qartazi në çfarë momenti mund të ndërhyjmë në pjesën e legjislacionit në mënyrë që kushdo që tentoje të abuzojë më pas me procedurën ta këtë hapësirë të mbyllur. Besoj që përcaktimi ligjor do të jetë pjesa më e saktë ajo që do të ofrojë edhe një lloj kontrolli nga inspektoriatet e Ministrisë së Drejtësisë apo të institucioneve të tjera që kanë përgjegjësinë për ecurinë e këtyre proceseve. Ministria e Drejtësisë ka kërkuar ndryshim në disa ligje për të forcuar më tej luftën ndaj korrupsionit, krimit të organizuar, si dhe ligje të tjera me rëndësi jetike për vendin. Të gjitha këto ligje kërkojnë miratim të shumicës në parlament ndërkohë që opozita mungon në sallë. A keni ju një thirrje për opozitën? Në tërësi procesi i reformës në drejtësi është një proces që duhet të jetë konsensual. Jo vetëm në aspektin e numrave për tu votuar një ligj i caktuar në Parlament por në filozofi procesi i reformës në drejtësi duhet të jetë konsensual. Përveç konsensusit të përfaqësuesve politikë në Parlament duhet përfshirë brenda edhe mendimi i grupeve të interesit, por në thelb duhet të qëndrojë konsensusi politik. Në këtë kuadër unë besoj që opozita jo vetëm që i duhet drejtuar thirrja për ta ardhur në parlament por ajo ka përgjegjësi të drejtpërsëdrejti institucionale, ka përgjegjësi të drejtpërdrejtë publike, përgjegjësi të drejtë morale në raport me qytetarin, por edhe vetë brenda konceptit të saj si opozitë politike. Jam i bindur që argumentet që sot janë më se të qarta dhe të hapura për futjen e opozitës në parlament janë të tilla që do ta bëjnë të qenësishme dhe të vetëdijshme opozitën në marrjen e vendimeve politike për të cilat ajo ka përgjegjësinë e saj. Unë besoj hapat e duhur do të merren nga opozita dhe shpresoj që në procesin e argumenteve konsensuale të debatit dhe arritjes konsesuale më pas për sa i takon reformës në drejtësi, ne do të ecim jo vetëm që Shqipëria dhe shqiptarët ndodhen në një moment të rëndësishëm për sa i takon çështjeve të integrimit por këto i shërbejnë në një farë mënyre perspektivës së zhvillimit të shoqërisë shqiptare. Në baze dhe në themel të zhvillimit ekonomik, social ekziston gjithmonë baza ligjore. Pa një bazë të fortë ligjore të standardeve evropiane do të jetë e vështirë për të realizuar procese dhe procedura që i shkojnë këtij qëllimi. Mesazhi i Presidentit të Republikës në cilësinë e kryetarit të KLD-së ka qenë se duhet të bashkëpunim, koordinimin mes dy inspektoriateve, inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë dhe atij të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, të cilët luajnë të njëjtin rol, monitorimin dhe këqyrjen e punës së gjyqtarëve. Çfarë do të bëni, a do të ketë një bashkëpunim mes dy inspektoriateve sepse deri më sot është folur se ka një dualitet mes tyre Unë nuk do të ndërhyjë asnjëherë në kompetencat e çdo institucioni që ka fushën e tij dhe përcaktimin e tij ligjor dhe rastin konkret të Inspektoriatit të Këshillit të Lartë të Drejtësisë i cili përgjigjet përballë Këshillit të Lartë të Drejtësisë për detyrat dhe objektivat që ka ky institucion. Por Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë ka përcaktimin e vet ligjor ka fushën e vet të veprimtarisë, kështu që përgjegjësia e Ministrisë së Drejtësisë do të jetë në funksionalitetin dhe rendimentin e punës ligjore, transparente të Inspektoriatit të Ministrisë së Drejtësisë. Ajo ç’ka unë do të ndjek përpos ligjshmërisë dhe transparencës dhe korrektesës së punës së këtij Inspektoriati, reagimi dhe vlerësimi i produktit të punës së këtij Inspektoriati nga ana e KLD sepse produkti i punës së Inspektoriatit nga ana e Ministrisë së Drejtësisë prezantohet dhe paraqitet për procesin e mëtejshëm të vendimmarrjes pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë. Ka edhe në këto momente që flasim mjaft raporte dhe propozime të ardhura nga Ministri i Drejtësisë dhe Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë për inspektimet e kryera në marrje e masave konkrete mbi emra konkretë dhe ne jemi në pritje të gjykimit të tyre nga ana e Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe unë kam besimin e plotë që KLD do të vlerësojë me shumë seriozitet punën që ka bërë Inspektoriati i Ministrisë së Drejtësisë në kontrollin e ushtruar deri më tash në propozimet për masat e marra. Në radhë të parë duhet hartojë legjislacion solid të standardeve por nga ana tjetër është shumë e rëndësishme kontrolli dhe ndërhyrja me masa të forta administrative në momente kur jo vetëm neglizhohet, por edhe shkelet në mënyrë të hapur ligji dhe përcaktimi i detyrimeve ndaj çdo institucioni, aq më tepër në këtë rast nga ana e atyre që kanë për detyrë të bëjnë drejtësi.
...