Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon uron Kryeministrin Berisha për rizgjedhjen në krye të qeverisë
“Nën lidershipin tuaj, Shqipëria do t’i përballojë me sukses sfidat e këtyre viteve të vështira”
Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki Moon, përshëndet rizgjedhjen e kryeministrit Sali Berisha dhe e inkurajon atë për udhëheqjen e Shqipërisë drejt sukseseve. Ban Ki Moonm, shprehet entuziast edhe për rolin e Shqipërisë në qëllimet dhe principet e OKB-së.
Kryeministri i vendit Sali Berisha, me rastin e rizgjedhjes në krye të qeverisë, ka marrë dje një telegram urimi, nga Sekretari i Përgjithshëm i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Ban Ki Moon. Kreu i OKB-së, i përcjell kryeministrit Berisha në urimin e tij, atributet e një lideri të denjë, për të udhëhequr Shqipërinë drejt sfidave të mëdha, dhe njëherazi edhe në kuadër të kontributit në Organizatën e Kombeve të Bashkuara. “Unë jam i bindur se nën lidershipin tuaj qeveria e Republikës së Shqipërisë do të vazhdojë të drejtojë me sukses sfidat me të cilat përballemi sot dhe se vendi juaj do të qëndrojë i vendosur në thellimin e bashkëpunimit rajonal dhe stabilitetit”, thekson në urimin e tij, Ban Ki Moon. Ai shprehet i bindur se rikonfirmimi i kryeministrit Berisha, do t’i shërbejë të ardhmes së Shqipërisë dhe vazhdimit të sukseseve në zbatim të përgjegjësive të rëndësishme. “Dëshiroj t’Ju shpreh urimet e mia për rizgjedhjen Tuaj si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë. Ishte një kënaqësi për mua që ju takova Ju në Nju Jork javën që shkoi, dhe Ju uroj vazhdimësinë e suksesit në zbatimin e përgjegjësive tuaja të rëndësishme. Jam i bindur se nën udhëheqjen Tuaj, Republika e Shqipërisë do të vazhdojë të mbështesë qëllimet dhe principet e Kombeve të Bashkuara”, thuhet më tej në urimin e Ban Ki Moon. Rizgjedhja e kryeministrit Berisha, në krye të qeverisë shqiptare, konsiderohet nga ndërkombëtarët dhe kancelaritë më të fuqishme botërore, si një moment i rëndësishëm, për të kuadruar përfundimisht Shqipërinë, drejt procese të integrimit evropian.
...