Nishani: Nga sot, zyrat e aplikimit së kartave të identitetit do të jenë të hapura nga ora 08 deri në 22

Ekzistojnë të gjitha mundësitë që çdo qytetar pa pasaportë që do të aplikojë brenda datës 15 qershor, të pajiset me letërnjoftimin elektronik. Kjo është deklaruar dje për mediat nga Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani.
Përgjatë një konferencë të posaçme për shtyp, Nishani bëri me dije se deri dje kanë aplikuar për t’u pajisur me letërnjoftim elektronik 1. 253. 360 shtetas, në një kohë që nga letërnjoftimet e prodhuara dhe të shpërndara në qendrat e aplikimit kanë tërhequr letërnjoftimet e tyre 767 190 qytetarë.
Ndërkaq me qëllim dhënien e mundësive maksimale qytetarëve pa pasaportë që ende nuk kanë aplikuar, Ministri i Brendshëm tha se duke filluar nga dita e nesërme zyrat e aplikimit dhe shpërndarjes së kartave të identitetit do të jenë të hapura nga ora 08.00 – 22.00, pa ndërprerje.
“Duke i shprehur falënderimet kompanisë ‘Aleat’ për të gjitha këto kapacitete dhe mundësi maksimale që po ofron për qytetarët, i bëjmë thirrje të gjithë atyre që nuk e kanë një pasaportë të paraqiten sa më parë në zyrat e aplikimit. Gjithashtu, të gjithë ata qytetarë që kanë aplikuar për letërnjoftimin deri më datën 24 maj 2009 të paraqiten për ta tërhequr atë. Ne i kemi të gjitha mundësitë që çdo qytetar që paraqitet për të aplikuar apo për të tërhequr kartën, ta ketë atë në disponim përpara ditës së zgjedhjeve”, deklaroi Nishani. Pyetjes nëse do të ketë zgjedhës që nuk do të munden të votojnë për shkak se nuk do të kenë as letërnjoftim as pasaportë, kreu i Ministrisë së Brendshme iu përgjigj se në asnjë rast të pamundësisë të kapaciteteve apo kohës në dispozicion.
“Ekzistojnë të gjitha kapacitetet e mundshme që të gjithë shtetasit pa pasaportë të pajisen me letërnjoftimin elektronik. Ministria e Brendshme, si implementuese e këtij procesi, i ka siguruar të gjitha kapacitetet e mundshme për çdo qytetar për të aplikuar, ndërkohë që nuk ka munguar as informacioni për çdo qytetar të vendit, pavarësisht vendbanimit të tij, lidhur me mënyrën dhe vendin e aplikimit. Kemi të gjitha kapacitetet reale dhe kohën në dispozicion të çdo qytetari që nuk ka pasaportë. Nga eksperienca e mëparshme, në Shqipëri marrin pjesë jo më shumë se 1.380 000 votues, ndërkohë që numri i aplikimeve për letërnjoftimin elektronik po shkon drejt shifrës 1.400 000”, theksoi ai.
Nishani ndërkaq shtoi se në përfundim të procesit të aplikimit dhe prodhimit të letërnjoftimeve elektronike, lista e të gjithë qytetarëve pa pasaportë dhe që nuk kanë aplikuar për letërnjoftimin elektronik, do t’i dërgohet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. “Çdo ditë nga kompania ‘Aleat’ merret lista e numrit të qytetarëve që kanë aplikuar dhe pas të gjitha procedurave verifikohet emri i aplikuesit në se disponon pasaportë apo e kundërta. Nisur nga afati kohor prej dy javësh i mjaftueshëm për prodhimin e letërnjoftimit elektronik afati i fundit për mundësinë e aplikimit të shtetasve pa pasaportë është data 15 qershor”, u shpreh Ministri i Brendshëm. Ndërkohë i pyetur lidhur me mundësinë e dublimit të emrave në listën e zgjedhësve të bërë publike në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, për të cilën ka pasur edhe disa pretendime nga ana e opozitës, Nishani qartësoi se të gjitha rastet që mund të identifikohen do të jenë objekt i një verifikimi. Ai pranoi se sipas një informacioni paraprak të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile ekziston rasti i një personi, i cili ka ekzistuar më parë në katër zyra të gjendjes civile. Por sipas Nishani programi është i tillë që verifikon dhe dublikon dy e nga dy emrat dhe se rasti në fjalë është një rast i veçantë në afro 3.1 milion zgjedhës.
“Në rastin e këtij shtetasi, i cili ka qenë i regjistruar 4 herë në zyra të ndryshme të gjendjes civile, programi nuk mund ta identifikojë katër herë, sepse padrejtësisht ai mund të hiqte një emër të ngjashëm me të”, sqaroi Ministri.
Nishani iu përgjigj edhe sensibiliteteve lidhur me rolin e Policisë së Shtetit në zgjedhjet e 28 qershorit. “Duke shpresuar për vazhdimësinë e eksperiencës së deritanishme në proceset zgjedhore, të gjithë strukturat e Policisë së Shtetit që janë pjesë e rendit publik dhe që do të angazhohen në procesin e ardhshëm zgjedhor, janë trajnuar dhe shpresoj se në zgjedhjet e 28 Qershorit Policia e Shtetit do të tregojë performancën më të mirë të saj, të vlerësuar pozitivisht edhe në zgjedhjet e shkuara”, përfundoi Nishani.
...