E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani: Prioritete madhore, reforma në pronësi dhe ish-të përndjekurit

Dy janë prioritetet madhore të Ministrisë së Drejtësisë për vitin 2010, vazhdimi i reformës në pronësi që lidhet me kompensimin fizik dhe financiar të pronarëve shqiptarë për pronën e njohur dhe të kthyer, si dhe dëmshpërblimi i të përndjekurve politikë. Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, përmes një interviste dhënë në televizionin “Klan” për gazetaren Anduena Llabani, pasi ka analizuar reformat e ndërmarra nga dikasteri që drejton dhe projektligjet e rëndësishme që prej disa muajsh janë kthyer në ligje, shpalos edhe prioritetet për vitin e ardhshëm, mes të cilave dy janë cilësuar prej tij si më madhoret, reforma në pronësi dhe kompensimi i ish-të përndjekurve politikë. Gjithashtu, ministri Nishani nuk ka lënë pa përmendur edhe bashkëpunimin që institucioni që drejton do të ketë në të ardhmen me institucione të tjera, me qëllim përmbushjen e kritereve të vendosura për liberalizimin e vizave, por edhe për të plotësuar së bashku atë pjesë të pyetësorit që ka të bëjë me reformat në drejtësi

Çdo dikaster, edhe Ministria e Drejtësisë ka në fund të vitit analizën e saj njëvjeçare. Në fakt, 2009-a ka qenë për ju një vit i suksesshëm, një vit i ndërmarrjeve të mëdha apo një vit ku 2009-a do të mbajë peng shumë projektligje që kanë nisur me iniciativën tuaj dhe sigurisht të institucioneve të tjera paralele?
Unë erdha në krye të këtij institucioni afërsisht në mbyllje të vitit 2009 dhe fatmirësisht gjeta një bilanc shumë pozitiv në të gjitha aspektet në fushën e Ministrisë së Drejtësisë. Së pari, dëshiroj të theksoj faktin që është plotësuar me sukses në tërësi angazhimi në fushën e hartimit dhe draftimit të legjislacionit. Ministria e Drejtësisë ka realizuar me sukses, jo vetëm hartimin e ligjeve që i takojnë fushës së drejtësisë, por ka realizuar në tërësi të gjithë oponencën për sa u takon të gjitha drafteve të paraqitura nga të gjitha institucionet e ekzekutivit dhe më pas në Parlament. Dhe në fushën e ligjit, aktet që cekin fushën e drejtësisë dhe reformën e pronësisë, të cilat janë dy nga elementet kryesore të punës së këtij dikasteri, mund të konfirmojnë faktin se janë 9 projektligje të miratuara dhe të kthyera tashmë në ligje, të miratuara nga Parlamenti, të cilat kanë ndikim të drejtpërdrejtë në sistemin e drejtësisë dhe në reformën e pronësisë. Viti 2009 ka qenë një vit i një dinamike dhe hapësire i mjaft shërbimeve të reja që sollën kryesisht në respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, por dhe reformës në drejtësi në tërësi. Dëshiroj të theksoj këtu faktin e krijimit dhe funksionimin e shërbimit të provës, e cila ka të bëjë dhe me arritjen e disa standardeve evropiane të paaplikuara më parë nga Shqipëria. Janë gati 630 të dënuar, të cilët për shkak të aplikimit të ligjit të shërbimit të provës dhe dënimeve alternative, kanë përfituar dhe tashmë e kryejnë këtë dënim jashtë institucioneve të vuajtjes së dënimit. Nga ana tjetër, aplikimi i këtij ligji ka sjellë dhe lehtësimin e ambienteve, duke krijuar më pas mundësinë që për ata që e vuajnë dënimin brenda sistemit të burgjeve, të krijohen kushte akoma më lehtësuese dhe më normale. Është pranë finalizimit, krijimi i komitetit shtetëror për ndihmën juridike, pra miratimi i ligjit për dhënien e ndihmës juridike, i cili parashikon t’iu ofrohet atyre individëve kryesisht me probleme ekonomike, të cilët nuk kanë mundësi të marrin ndihmën juridike përballë gjykatës dhe është pikërisht shteti, i cili ndërhyn përmes mekanizmave të tij dhe i ofron falas këtë ndihmë juridike. Tashmë komiteti shtetëror është gati për të filluar nga puna. Një element i rëndësishëm është fakti i ekzekutimit të vendimeve gjyqësore. Viti 2009 ka sjellë një rritje të ndjeshme të ekzekutimeve të vendimeve gjyqësore dhe sot 90% e tyre ekzekutohen nga shërbimi përmbarimor. Natyrisht, duke pasur parasysh shqetësimet që kanë lindur dhe ekzistojnë, ka dhe çështje që kanë lindur për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, Ministria e Drejtësisë në emër të qeverisë shqiptare dhe Parlamenti kanë miratuar ligjin për shërbimin privat përmbarimor, i cili do të funksionojë si një alternativë e shërbimit përmbarimor shtetëror, që çdo shtetas të ketë një alternativë kur çështja e tij nuk gjen zgjidhje, domethënë që shërbimi përmbarimor publik për ekzekutimin e vendimeve gjyqësore të vihet në lëvizje dhe t’i drejtohet shërbimit përmbarimor privat. Në tërësi, unë mund të them që angazhimi i Ministrisë së Drejtësisë në fushën e hartimit të legjislacionit ka sjellë një impakt pozitiv për sa i takon dhe reformës në tërësi në drejtësi. Miratimi nga Parlamenti dhe ratifikimi prej tij i Konventës së Hagës, po kështu ligji për çështjet civile, apo një ligj shumë i rëndësishëm, ai i bashkëpunimit juridiksional me autoritetet e huaja për çështjet penale, por dhe ai më i fundit i zyrtarizuar tashmë, ligji “Antimafia”, janë kontribute të rëndësishme të qeverisë shqiptare, përmes Ministrisë së Drejtësisë, në hartimin me standarde të larta, falë angazhimit të specialistëve të kësaj ministrie, por dhe asistencës që misioni EURALIUS i Komisionit Evropian ofron për Ministrinë e Drejtësisë, t’i dërgojë Parlamentit shqiptar projektligje të cilat jo vetëm ndikojnë drejtpërsëdrejti qoftë në reformën në drejtësi, në reformën në pronësi, si një çështje madhore dhe e rëndësishme për ta sjellë në parametrat evropianë legjislacionin shqiptar, por nga ana tjetër për ta bërë dhe të implementueshëm këtë legjislacion. Dhe për këtë shkak, ligjet e miratuara janë pasuar nga një numër i konsiderueshëm aktesh nënligjore, që në formën e vendimeve të qeverisë, apo rregulloreve të ndryshme të hartuara e të miratuara qoftë nga qeveria shqiptare apo nga Ministria e Drejtësisë, të cilat përbëjnë një set mekanizmash ligjorë të rëndësishëm, që jo vetëm institucionet që i kanë ato në përdorim të funksionojnë për në fund të fundit, të gjendet zgjidhja e problematikave dhe përballja e sfidave që ka shoqëria shqiptare sot.
Zoti Nishani, 2010-a është një vit i ri. Ka prioritete të tjera ky vit, si çdo vit tjetër i ri. Ministria e Drejtësisë, çfarë prioritetesh do të ketë? Ju keni theksuar, që me marrjen e detyrës suaj si ministër, se prioriteti i punës do jetë në shërbimin ndaj publikut dhe kthimi i besimit tek publiku. Do të bëjë më shumë Ministria e Drejtësisë në parandalimin e krimit, në ligjin “antimafia” në rastin konkret? Do të bëjë Ministria e Drejtësisë më shumë një konsolidim të marrëdhënieve me disa forca të tjera në luftën kundër krimit të organizuar siç është prokuroria, siç është Policia e Shtetit? Ka diçka të re në këtë fushë?
Padyshim që mbetet pjesë e prioritetit të punës së parashikuar dhe të programit të qeverisë pjesët që i takojnë Ministrisë së Drejtësisë. Unë do të ndalesha shumë në angazhimin e rëndësishëm të Ministrisë së Drejtësisë në përgjigjen e hartimit të pyetësorit të dërguara nga Komisioni Evropian. Ministria e Drejtësisë është ministri lider në një nga kapitujt më të rëndësishëm, që është pjesa politike e pyetësorit, kapitull që ka të bëjë me drejtësinë dhe çështjet e brendshme. Natyrisht në bashkëpunim me të gjitha institucionet e tjera dhe veçanërisht me Ministrinë e Brendshme, por edhe me institucionet e pavarura, prokurorinë dhe institucionet e tjera, tashmë grupet e punës po funksionojnë në mënyrë intensive, duke pasur parasysh një objektiv të vetëm, që të përgjigjemi brenda standardeve që kërkon Komisioni Evropian. Pra, përgjigjja ndaj pyetësorit do të jetë një nga pikat kyçe për ta grumbulluar këtë brenda muajit janar dhe më pas për t’ia kaluar autoriteteve të tjera, për të verifikuar korrektësinë dhe saktësinë e përgjigjeve. Së dyti, të gjitha pjesët e tjera mbeten prioritet. Lufta kundër krimit të organizuar dhe mafies është një sfidë shumë e madhe e qeverisë “Berisha” për vitin 2010. Opinioni publik tashmë po konstaton një angazhim shumë specifik, jo vetëm në hartimin e legjislacionit, por dhe në krijimin e mekanizmave eficente për goditjen e bazës së ekonomisë kriminale, që në tërësi e bën të vështirë, në rast se nuk goditet vetë krimi i organizuar dhe mafia në tërësi, në konceptin e organizimit dhe të funksionimit të saj në kushtet e Shqipërisë. Natyrisht, Ministria e Drejtësisë në kapacitetet që ajo ka do të mbetet e fokusuar në pjesën e tjetër të legjislacionit që kërkohet, qoftë në atë të oponencës ndaj draftligjeve që paraqiten nga institucione dhe ministri të ndryshme. Në prioritetet e këtij dikasteri do të jetë dhe strategjia e reformës në drejtësi. Të shkojnë drejt standardeve maksimale, edhe për atë shtresë të shoqërisë që vuan dënimin penal për një vepër penale të kryer, por që pavarësisht duhet të mendojmë për riintegrimin e tyre pas vuajtjes së dënimit. Avokatura e Shtetit është një moment ku kërkohet një rritje e standardeve të prezantimit dhe mbrojtjes së interesave të shtetit, si brenda vendit, ashtu edhe në gjykatat ndërkombëtare. Prioritet madhor do të jetë vazhdimi i reformës në pronësi, që lidhet me kompensimin financiar dhe fizik të pronarëve shqiptarë për pronën e njohur dhe të kthyer dhe ajo e dëmshpërblimit të të përndjekurve politik, një proces i cili ka pasur një dinamizëm të veçantë kohët e fundit. Ai do të vazhdojë duke marrë dhe hapa konkretë, për ta lehtësuar edhe më shumë procedurën apo për të gjetur dhe zgjidhje procedurale aty ku janë vërejtur pengesa apo vonesa që janë hasur gjatë implementimit të këtij ligji. Në tërësi, unë jam optimist dhe së bashku me stafin e kësaj ministrie, e meqë është fundviti unë u uroj mbarësi dhe gëzim në të gjitha festat e fundvitit, në vitin e ardhshëm do të ofrojmë e do të tregojmë standarde të një institucioni që e meriton të ketë një vend, i cili tashmë po i drejtohet familjes së madhe evropiane.
Një fenomen tjetër i pranuar sot nga shoqëria shqiptare është gjakmarrja. Është një nga pikat e pyetësorit për të cilat Ministria e Drejtësisë, sikundër Policia e Shtetit dhe prokuroria do të japë përgjigjet e saj. Zoti Nishani, çfarë do të bëjë Ministria e Drejtësisë që të parandaloni një fenomen të tillë, për të mos lejuar që asnjë qytetar shqiptar të shkojë në vetëgjyqësi? Do të mjaftonte kjo thjesht me reformat ligjore?
Besoj që fenomeni që ju përmendni, për një numër arsyesh ka pësuar një rrudhje. Nga disa statistika zyrtare të ardhura para pak kohësh, mësova se në zonat ku fenomeni është më i ndjeshëm ka një rënie të theksuar të këtyre ngjarjeve apo të vrasjeve për motive të gjakmarrjes. Për shembull, në Qarkun e Shkodrës është raportuar se gjatë vitit të kaluar nuk ka pasur asnjë vrasje për shkak të gjakmarrjes dhe për mendimin tim pa pasur dy arsye, i pari është maturimi i shoqërisë dhe një lloj reagimi ndryshe përballë këtij fenomeni. Por, padyshim pjesa e legjislacionit dhe goditjes së fenomenit ashpërsisht nga ligji, duke mos e lënë ta zgjidhë vetëgjyqësia, kanë dhënë ndikimet e tyre në këtë çështje. Mund t’ju garantoj ju dhe opinionin publik se Ministria e Drejtësisë do të jetë e gatshme të ofrojë të gjithë asistencën e saj juridike për të gjitha institucionet, që kërkojnë mekanizma, ligje më eficente në goditjen e këtij fenomeni. Dhe, nga ana tjetër përmes mekanizmave të saj do të jetë një supervizore shumë korrekte dhe e patolerueshme ndaj injorimit (nëse do të ketë raste të tilla) të goditjes ligjore nga ana e gjyqësorit apo institucione të tjera, gjithmonë në raport me atë ç’ka ligji i detyron këto institucione. Pra, në rastet kur Ministria e Drejtësisë do të konstatojë apo do të marrë informacione ku mekanizmat ligjore, instrumentet e shtetit që e kanë për detyrë bërjen e drejtësisë, injorojnë detyrimin e tyre ligjor, atëherë përmes inspektoratit të saj, Ministria e Drejtësisë do të ndërhyjë dhe besoj në bashkëpunim me institucione të tjera, do të marrim të gjitha hapat e duhur ligjorë.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›