E Diel, 1 Nëntor 2026

Spanjë; Sekuestrohet 1.5 ton kokainë, arrestohen 13 shqiptarë

Policia: Pikëmbërritja e drogës ishte në Londër, më pas do të hidhej për t’u shitur në tregun vendas. Origjina e drogës dyshohet nga Kolumbia, në pranga shtetas britanikë dhe ekuipazhi i anijes

Spanjë

Një sasi e madhe kokaine prej 1.5 tonësh u sekuestrua në brigjet e Spanjës, ndërkohë që u vunë në pranga 13 shqiptarë. Policia spanjolle në bashkëpunim me atë britanike organizuan një operacion të madh, ku arritën që të kapnin superngarkesën në orët e para të mëngjesit të së mërkurës. Përveç shqiptarëve, nga agjentët u ndaluan edhe shtetas të tjerë nga Britania, si edhe ekuipazhi. Sipas mediave të huaja, pikëmbërritja e drogës ishte në Mbretërinë e Bashkuar, ku ajo më pas hidhej në treg. Dyshohet se kokaina ishte ngarkuar në Kolumbi, për t’u transportuar më pas nëpërmjet anijes për në brigjet evropiane.

Operacioni
Pas informacioneve të marra, policia spanjolle dhe forcat qendrore të policisë metropolitane në Agjencinë e Krimit të Organizuar, rreth orës 08:00 të ditës së mërkurë organizuan një superoperacion në anijen “Empress Destiny”, që ishte ankoruar 200 milje larg bregut spanjoll. Pas kontrollit të kryer nga agjentët u gjet e fshehur brenda anijes një sasi e madhe prej 1.5 ton kokainë, e cila kap vlerën e 375 milionë paundëve. Nga aksioni i kryer u arrestuan dhjetëra persona, mes të cilëve edhe 13 shqiptarë dhe disa të tjerë me origjinë nga Kosova.

Hetimet
Nga hetimet e kryera nga agjentët dyshohet se anija në të cilën u sekuestrua sasia e madhe e drogës mund ta ketë origjinën nga Chaguaramas, Trinidad, nga Kolumbia. Një nga pikat që hetuesit po përpiqen të verifikojnë është nëse anija ka hyrë në ujërat e Trinidad dhe sa kohë ka qëndruar aty. Hetimi ka përfshirë të gjitha vendet ku mendohet se ka kaluar tranzit në ujëra anija e ngarkuar me kokainë. Dyshohet se droga e kapur mund ta ketë origjinën nga Kolumbia. Ndërkohë që sasia e kokainës do të çohej në Londër, ku ajo më pas do të hidhej në tregun vendas. Grupi i trafikantëve që janë të përfshirë në këtë trafik të madh dyshohet se përbëhet nga kriminelë me përvojë dhe ai i ka bazat në Spanjë, Karaibe, Kolumbi dhe Londër. Sipas agjentëve anglezë, sasia prej 1.5 ton kokainë është më e madhja e bllokuar nga ata.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›