“Shqipëria, një superfuqi e vogël rajonale e Inovacionit të Teknologjisë së Informacionit”
Kryeministri Sali Berisha mori pjesë në aktivitetin e organizuar nga ProTIK
Kryeministri Berisha vizitoi dje qendrën Burimore për Teknologjinë e Informacionit dhe Komunikimit në Shqipëri, e njohur si qendra ProTIK ku shprehu angazhimin e qeverisëse për veprimtarinë e suksesshme të saj.
Kryeministri Berisha, ndërsa vlerësoi arritjet e Shqipërisë në këtë fushë, u shpreh se “në rast se në vitin 2006 objektivi ynë ishte “Shqipëria dixhitale”, sot objektivi ynë është “Shqipëria – një superfuqi e vogël rajonale e ICT-së”.
Më pas kreu i ekzekutivit Berisha shpalosi objektivat e i tij për të ardhmen në këtë fushë. “Ajo çka ne do të donim shumë është që edhe universitetet, departamentet e tyre, të frymëzohen nga veprimtaria e kësaj qendre. Askund nuk mund të pritet më shumë sesa nga universitetet që të qëndrojnë në krye të inovacionit”.
Ndër të tjera, kryeministri Berisha shprehu bindjen se ky start i fuqishëm në këtë qendër dhe një kompleks tjetër masash do të bëjnë që Shqipëria në vitet që vijnë të ngjitet në krye të inovacionit, në këtë fushë jashtëzakonisht të rëndësishme për zhvillimin në tërësi. Gjithashtu gjatë vizitës në qendrën ProTIK, Kryeministri Berisha u takua edhe me një grup fëmijësh, të moshës 10 - 15 vjeç, të cilët vinin në këtë qendër një herë në javë dhe në tre ardhjet e para ata kishin ndërtuar dhe komandonin në disa mënyra një robot. Kryeministri Berisha u njoh, gjithashtu, edhe me iniciativën e ndërmarrë nga një grup studentësh për një program për personat me aftësi të kufizuar, si dhe krijimin, nga një grup tjetër studentësh, të një portali për informimin e qytetarëve në kohë reale, për të gjitha ngjarjet që zhvillohen në Tiranë dhe në mbarë vendin.
Qendra ProTIK, e krijuar si një partneritet publik - privat midis qeverisë shqiptare, qeverisë amerikane, kompanive ndërkombëtare dhe atyre shqiptare, si Microsoft, Cisco dhe Albtelekom, synon të ndihmojë në zhvillimin e sektorit të Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit (TIK) në Shqipëri. Ajo ofron një mjedis teknologjik bashkëkohor ku biznese, sipërmarrës, akademikë, studentë apo profesionistë të TIK mund të punojnë, bashkëveprojnë e takohen. Qëllimet e saj janë promovimi i inovacionit dhe sipërmarrjes, stimulimi i kërkesës për TIK dhe promovimi i partneriteteve dhe rrjetëzimit profesional.
Fokus/ “Tirana ICT Park”, zonë speciale ekonomike për fuqizimin e sektorit të ICT
Qeveria shqiptare dhe fondi Shqiptaro - Amerikan po bashkëpunojnë për ngritjen e kompleksin e teknologjisë së lartë “Tirana ICT Park”. Tirana ICT Park do të jetë një zonë në kryeqytet ku sipërmarrësit dhe sipërmarrjet do të kenë mundësi të punojnë në kushtet më të mira të mundshme, të çliruar nga të gjitha llojet e taksave. “Me Fondin Shqiptaro - Amerikan ne kemi një diskutim pozitiv dhe do të bëjmë çmos që të krijojmë Tirana ICT Park. Tirana ICT Park do të jetë një zonë në kryeqytet ku sipërmarrësit dhe sipërmarrjet do të kenë mundësi të punojnë në kushtet më të mira të mundshme, të çliruar nga të gjitha llojet e taksave”, deklaroi kryeministri Berisha.
Sipas tij kjo, është kusht shumë i rëndësishëm që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt destinacionit të saj “Shqipëria -superfuqi e hightech-ut në rajon”.
Kreu i qeverisë garantoi publikisht se do të mbështesë me të gjithë mundësitë e saj veprimtarinë e suksesshme të ProTIK.