E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi: Bankat kanë ulur nivelin e kreditimit për sipërmarrjet



Bankat e nivelit të dytë kanë nisur të jenë më dorështrënguara, kur bëhet fjalë për të dhënë kredi për biznesin. Ky shqetësim ka nisur të preokupojë komunitetin e biznesit, i cili për t’u zhvilluar ka nevojë emergjente për mbështetje financiare nga bankat e nivelit të dytë. Nisur nga ky fakt, komuniteti i biznesit ka bërë thirrje që bankat e nivelit të dytë të mbështesin me kredi biznesin, me qëllim që ekonomia shqiptare të mos pengohet në zhvillimin e saj. Konfindustria ka shprehur dje nëpërmjet drejtorit të saj, Gjergj Buxhuku, shqetësimin e saj për kufizimin e tejskajshëm brenda një kohe të shkurtër të masës së kreditimit nga sistemi bankar, me pasoja për bizneset cilësore dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Sipas Buxhukut, mbështetur në të dhënat e vazhdueshme të industrive më të rëndësishme të vendit, anëtare të Konfindustrisë, vihet re se në tremujorin e dytë të vitit financiar 2009 ndeshemi me dukurinë e shtimit shqetësues të mungesave për likuiditet në ekonominë shqiptare. “Konfindustria, mbështetur në analizën historike të masës dhe mënyrës së kreditimit, del në përfundimin se kemi të bëjmë me problematikë shqetësuese në menaxhimin e sistemit bankar shqiptar dhe kryesisht të bankave të nivelit të dytë”, - thotë Buxhuku. Sipas tij, kalimi i bankave të nivelit të dytë nga skaji i një politike kreditimi të përshpejtuar, me shenja të dukshme mungese profesionalizimi, subjektivizmi dhe korrupsioni, që shkaktoi rritjen e ndjeshme të “kredive të këqija” në masën tërësore të portofolit të kredive me pasoja të rënda për qëndrueshmërinë e sistemit financiar dhe ekonomik të vendit, në skajin e kundërt të kufizimit të plotë të masës së kreditimit edhe për biznese me tregues cilësorë, tregon se kemi të bëjmë me çështje mjaft shqetësuese në mënyrën e menaxhimit të deritanishëm të sistemit bankar shqiptar. Pavarësisht mbajtjes së një niveli të lartë të shpenzimeve publike gjatë vitit financiar në vazhdim, kreditimi i ekonomisë nga sektori bankar është në kufijtë më të ulët historik, duke ndikuar negativisht në ecurinë e treguesve ekonomikë kryesisht në industritë dhe prodhimin vendor. Gjendja paraqitet edhe më e vështirë, nëse kihet parasysh zhvillimi i krizës ekonomike dhe financiare globale dhe pasojat e saj në ekonominë shqiptare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›