E Shtunë, 31 Tetor 2026

Replikat me qeverinë, PS mbron Withers-in

Gjoni: Po intimidohet nga pseudopolitikanë. Balla: Mos guxoni të digjni fletët

Fërkimet mes përfaqësisë diplomatike amerikane dhe qeverisë aktuale janë bërë pjesë e debatit politik në Tiranë. Deputeti socialist, Ilir Gjoni, deklaroi dje pas një mbledhjeje në Komisionin e Jashtëm parlamentar se sulmet e përsëritura së fundmi nga disa media dhe përfaqësues të shumicës, ndaj titullarit diplomatik amerikan, John Withers, janë të papranueshme. “është naive të mendohet se përfaqësuesi i një prej shteteve më të fuqishme mund të intimidohet nga këta pseudopolitikanë apo pseudoanalistë. Ajo që është më e rëndësishmja është që ne duhet të ngremë zërin, që të mos lejojmë që marrëdhëniet e shkëlqyera që ka populli ynë me popullin amerikan të devijojnë në një masë të tillë, nga papërgjegjshmëria e disa politikanëve”, tha Gjoni. Ai i është referuar fërkimeve të bëra publike mes përfaqësuesit kryesor të SHBA dhe shumicës për sa i përket rrëzimit në Parlament të dekretit presidencial për emërimin e gjyqtarit Vangjel Kosta, si anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Reagimi i menjëhershëm i Withers, i përsëritur edhe fundjavën e kaluar në një konferencë për gjyqësorin në demokraci i organizuar nga ish-presidentët Alfred Moisiu dhe Rexhep Meidani, ka provokuar replikën e Partisë Demokratike shoqëruar edhe me një seri analizash në mediat e shkruara shqiptare. Këtë ballafaqim që ka dalë tashmë nga fusha e supozimeve për t’u bërë prezent si pjesë e politikës së ditës, deputeti Gjoni e ka rimarrë me një sens të ri vlerësimi, duke mos nguruar të flasë për cenim të marrëdhënieve dypalëshe. Apeli i bën jehonë precedentit negativ të viteve ‘96-‘97, që ka për protagonist sërish Sali Berishën, asokohe President i Republikës. Konteksti elektoral dhe vërejtjet rreth tij janë riaktualizuar si 14 vjet më parë në formën e një kritike, që priret të fitojë terren në lojën politike shqiptare. Për më shumë, që thuajse si në vitin 1996, përfaqësuesi amerikan në Tiranë ka ecur edhe më tutje teksa i ka bërë jehonë shqetësimeve të opozitës socialiste për sa i përket krizës së tanishme. “Shqipëria është në krizë qeverisëse”, do të shprehej ai gati një javë më parë, duke bërë të qartë pozicionin amerikan rreth situatës në vendin tonë. Riprodhimi mediatik dhe deklarativ i këtij konstatimi, që nga shumica është nënkuptuar si pozicionim politik, vijon thuajse përditë, duke paralajmëruar me këtë rast se dështimi i negociatave është një opsion i mundshëm. E vetëdijshme për zhvillimin e ngjarjeve sipas këtij skenari, Partia Socialiste ka paralajmëruar dje përmes deputetit të saj, Taulant Balla, përshkallëzimin e situatës. Ai ka marrë si argument qëndrimet e ditëve të fundit të përfaqësuesve të shumicës, lidhur me vënien në zbatim të Kodit Zgjedhor për djegien e fletëve të votimit. “I bëjmë thirrje sot Sali Berishës që as të mos ta çojë ndërmend që mund të djegë qoftë edhe një fletë të vetme votimi. Nëse Sali Berisha guxon të djegë edhe një fletë, kjo do të ishte shkëndija e djegies së pushtetit të vjedhur të Sali Berishës”, u shpreh Balla. Edhe pse negociatat e ndërmjetësuara nga faktori ndërkombëtar janë ende në afatin e zhvillimit të tyre, kjo duket se nuk ka penguar lëkundjet e vazhdueshme në deklarimet publike të pozitës dhe opozitës, që e shohin rezultatin e tyre vetëm si rezultat i demonstrimit të forcës.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›