E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani dhe ambasadori i Norvegjisë, nënshkruajnë marrëveshjen për vizat

 

TIRANE – Shqipëria nënshkruan me Norvegjinë marrëveshjen zyrtare “Për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar” dhe  “Mbi lehtësimin e lëshimit të vizave”. Në ambientet e Ministrisë së Brendshme, kreu i këtij institucioni, Bujar Nishani, nënshkroi dje me ambasadorin e Mbretërisë së Norvegjisë Z.Carl S.Wibye dy marrëveshjet në fjalë. Sipas burimeve zyrtare, marrëveshja “Për ripranimin e personave me qëndrim të paautorizuar”, mbi bazën e reciprocitetit përcakton procedura të shpejta dhe të efektshme për identifikimin dhe kthimin e sigurt dhe të rregullt të personave, të cilët nuk përmbushin kushtet për të hyrë, qëndruar ose për të banuar në territoret e Shqipërisë ose të Norvegjisë, dhe për të lehtësuar kalimin tranzit të këtyre personave në një frymë bashkëpunimi. Marrëveshja “mbi lehtësimin e lëshimit të vizave” është hapi i parë konkret drejt regjimit të udhëtimit pa viza. “Këto marrëveshje do të ndihmojnë në të gjitha proceset që kemi nisur për të luftuar trafiqet dhe migrimin e paligjshëm dhe nga ana tjetër për krijimin e të gjitha mundësive të procesit të lehtësimit për të shkuar drejt liberalizimit të regjimit të vizave me Norvegjinë për qytetarët shqiptarë”, tha ministri Nishani. Ambasadori i Mbretërisë së Norvegjisë, Z.Carl S.Wibye vlerësoi angazhimin e Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë për finalizimin e këtyre dy marrëveshjeve brenda një kohe të shkurtër, si një tjetër tregues të rëndësishëm të marrëdhënieve të shkëlqyera mes të dy vendeve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›