E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani në Austri, merr pjesë në konferencën për Sigurinë e Kufijve

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani mori pjesë sot në konferencën ministrore mbi Inisiativën e Azisë Qendrore në Sigurinë e Kufijve që po zhvillohet në Vjenë, e organizuar nga Ministria e Brendshme e Austrise dhe OSBE.

Në këtë konferencë dyditore, 16-17 prill 2012, ku Ministri Nishani është ftuar nga Ministrja e Brendshme e Austrisë Znj. Johana Mikl-Leitner, përveç vendeve të Azisë Qendrore merrnin pjesë edhe përfaqësues të lartë të vendeve të BE, SHBA, Japonisë, Rusisë, si dhe organizatave ndërkombëtare si UNODC, UNDP, UNHCR, INTERPOL, FRONTEX, ICMPD, IOM, Bankës Botërore, etj.
 

Ministri i Brendshëm Bujar Nishani prezantoi në konferencë modelin dhe progesin e Shqipërisë në fushën e bashkëpunimit ndërkufitar në kuadër të Menaxhimit të Integruar të Kufijve, kryesisht në bashkëpunimin me vendet fqinje si dhe impaktin e këtij bashkëpunimi, jo vetëm në rritjen dhe forcimin e sigurisë së kufijve, por dhe të lehtësimit të qarkullimit të njerezve, mjeteve dhe mallrave nëpërmjet pikave të kalimit kufitar.

Ministri Nishani theksoi në fjalën e tij se garantimi i kufijve të hapur por të sigurtë mund të arrihet vetem në sajë të bashkëpunimit dhe partneritetit reciprok, si dhe garantoi njëherazi të gjitha vendet se do të gjejnë tek Shqipëria një partner të sigurtë për këtë qëllim.
Nishani zhvilloi edhe një takim të veçantë me homologen austriake Znj. Johana Mikl-Leitner.
Në takim u diskutua gjerësisht mbi bashkëpunimin e deritanishëm dypalësh në fushën e rendit dhe sigurisë publike, luftën kundër emigracionit të paligjshëm, shkëmbimit të informacionit me interes reciprok, ecurinë dhe rezultatet e misionit PAMECA etj.

Ministri Nishani falenderoi nga ana e tij Ministren Mikl-Leitner për bashkëpunimin dhe ndihmën që ka ofruar Republika Federale e Austrisë në fushën e rendit dhe sigurisë publike, në forcimin e kapaciteteve profesionale, si dhe garantoi vullnetin e plotë për thellimin e bashkëpunimit institucional.

Nga ana e saj Znj. Mikl-Leitner nënvizoi progresin e dukshëm të Shqipërisë si dhe shprehu vlerësimin për rolin e vendit tonë në rritjen e sigurisë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

Në fund të takimit, Ministri i Brendshëm Bujar Nishani ftoi për një vizitë zyrtare në Shqipëri homologen austriake, ftesë e cila u prit me shumë kënaqësi nga Ministrja e Brendshme e Republikës Federale të Austrisë Znj. Johana Mikl-Leitner.

 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›