E Diel, 1 Nëntor 2026

Nishani niset per vizite treditore ne Kosove

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani së bashku me Zonjën e Parë, Odeta Nishani dhe në krye të delegacionit shqiptar, niset sot për në Republikën e Kosovës, ku me ftesë të Presidentes kosovare, Atifete Jahjaga, do të zhvillojë një vizitë zyrtare treditore. Në këtë vizitë të parë shtetërore në Kosovë në cilësinë e Kryetarit të Shtetit, Presidenti do të kryesojë një delegacion të gjerë zyrtar, në përbërje të së cilit do të jenë dhe Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj, Ministri i Brendshëm, Flamur Noka, Zëvendësministrja e Punëve të Jashtme, Edith Harxhi, deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Fatos Hoxha dhe Presidenti i Unionit të Dhomave të Tregtisë, Ilir Zhilla.

Disa nga veprimtaritë që spikasin në agjendën e ngjeshur të vizitës së Kreut të Shtetit shqiptar në Kosovë do të jenë: takimi me Presidenten Atifete Jahjaga, në përfundim të së cilit të dy homologët do të japin një konferencë të përbashkët për shtyp, takimi me Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, i cili do të pasohet nga një seancë solemne e Kuvendit të Kosovës për nder të Presidentit Nishani, si dhe takimi me Kryeministrin e Kosovës, Hashim Thaçi.

Presidentit të Republikës, Bujar Nishani pritet të zhvillojë takime të veçanta edhe me Kryetarin e Komunës së Prishtinës dhe njëkohësisht Kreun e LDK-së, Isa Mustafa, me Zëvendëskryeminstrin dhe Kryetarin e AKR-së, Behgjet Pacolli, me Zëvendëskryetarin e AAK-së, Blerim Shala, me drejtuesin e Lëvizjes Vetëvendosja, Albin Kurti dhe me autoritete të tjera vendore në Kosovë, si dhe me Zëvendëskryeministrin, Sllobodan Petroviç.

Gjithashtu, në kuadër të kësaj vizite zyrtare, Kryetari i Shtetit shqiptar do të zhvillojë homazhe në vendprehjen e Presidentit Rugova dhe në varrin e Adem Jasharit, të cilat do të pasohen nga vizita e Presidentit Nishani në familjet respektive të këtyre figurave të shquara historike të Kosovës. Kreu i Shtetit do të vizitojë dhe familjen martire të Haradinajve në Gllogjan, si dhe do të ndalet për të vizituar muzeun e Lidhjes historike të Prizrenit, Kishën Katolike të Binçës, Manastirin e Deçanit dhe Xhaminë e Sinan Pashës. Një etapë e veçantë e kësaj vizite do të jetë edhe fjala që Presidenti i Republikës, Bujar Nishani do të mbajë në Universitetin AAB, në prani të shumë përfaqësuesve nga bota akademike, të shoqërisë civile kosovare, intelektualë, pedagogë dhe studentë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›