E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nishani paralajmëron policinë e Tiranës: Luftë krimit, ose ikni

TIRANE - Ministri i Brendshëm Bujar Nishani, paralajmëroi Drejtorinë e Policisë së Tiranës, të rrisë ritmin e punës për të zbardhur disa prej krimeve të rënda të ndodhura në kryeqytet gjatë ditëve të fundit. 

Kreu i dikasterit të brendshëm tha se, nëse këta tregues të punës së policisë nuk rriten dhe nëse ngjarjet e ndodhura nuk zbardhen, nuk do të tolerohen krerët e komisariateve që nuk kanë pasur tregues pozitiv të rezultateve. Paralajmërimi i ministrit Nishani, ka ardhur dje në mesditë, gjatë një takimi të tij me efektivë dhe drejtues të Policisë së kryeqytetit në prani të Drejtorit të Policisë së Shtetit kryekomisar Ahmet Prençi dhe atij të Tiranës, Muhamet Rrumbullaku. Të njëjtën gjuhë të ashpër kreu i dikasterit të Brendshëm, Bujar Nishani, ka përdorur edhe me shefat e zyrave apo sektorëve të sapokrijuar nga struktura e re e policisë së kryeqytetit. Lajmi është bërë i ditur për gazetën “Panorama”, nga disa prej oficerëve të zyrave dhe seksioneve të policisë, që kanë marrë pjesë në takimin me krerët e Policisë dhe të Ministrisë. Mësohet se ministri Nishani ka kritikuar punën e Komisariatit nr.1, Komisariatit nr.3 dhe nr.5, që sipas tij, nuk kanë justifikuar dinamikën dhe ngarkesën e punës. Po ashtu, kreu i dikasterit të Brendshëm, ka kritikuar sektorin e Krimeve dhe linjën nga varen ata në drejtori, duke kërkuar më tepër angazhim në luftën kundër kriminalitetit. Sipas ministrit, Zyra e Hetimit të Vrasjeve, ajo e Hetimit të Vjedhjeve, apo grabitjeve, duhet që për një periudhë më pak se një muaj të zbardhin ngjarjet e ndodhura nën juridiksionin e tyre në të kundërt veprimtaria do të analizohet me qëllim nxjerrjen e përgjegjësive.        d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›