Shqiptari mund Italinë në Strasburg
• Tre muaj të kaluar padrejtësisht në qelitë italiane, një shqiptari i janë dëmshpërblyer me 4500 euro nga Strasburgu.Fatos Mahmutaj Quhet Dashamir Kollçaku dhe prej pesë vitesh ndodhet në një betejë ligjore me drejtësinë italiane, derisa pak kohë më parë ka arritur të marrë pafajësinë dhe dëmshpërblimin për një ngatërresë që i kushtoi tre muaj paraburgim. Gjithçka ka ndodhur në vitin 1994, kur një prostitutë shqiptare denoncon në policinë e Padovas se shfrytëzohej nga një bashkatdhetar i saj i quajtur Dashamir Kollçaku. Në bazë të dëshmisë së saj, Kollçaku shpallet në kërkim në Itali dhe pas disa muajsh hetime çështja në ngarkim të tij dërgohet për gjykim në Gjykatën e Firences. Akuza për të është "shfrytëzim prostitucioni në rrethana rënduese", ndërsa gjatë procesit, që nis më 5 janar 1995 nuk gjendet as denoncuesja për të dëshmuar dhe as i pandehuri, për të cilin gjykata vendos të caktojë një avokat kryesisht.Dënimi Më 16 maj 1997 kjo gjykatë e dënon shqiptarin me 5 vjet burg në mungesë. Fakti që mbrojtësi i tij, caktuar kryesisht nga shteti italian nuk paraqiti apelim të çështjes, vendimi më 17 tetor 1997 mori formë të prerë. Më 8 prill 2003 shqiptari Kollçaku prangoset në aeroportin e Fiumiçinos. Policia i komunikon atij se po ekzekutonte urdhër-arrestin e lëshuar në bazë të vendimit të gjykatës. Më 10 qershor 2003, pasi ka zgjedhur një avokat, ai pretendon para gjykatës se dënimi i vitit 1997 ishte i padrejtë dhe se nuk kishte pasur dijeni. Sipas mbrojtësit të tij, nëse Kollçaku ndodhej në Shqipëri, atëherë minimalisht gjykata duhet të vinte në dijeni qeverinë shqiptare për këtë proces. Ndërsa hetimet dhe gjykimi për të duhet të kryheshin në vendin e tij të lindjes. Për më tepër në proces ishte përdorur si provë kryesore denoncimi i bërë ndaj tij nga një prostitutë e panjohur, e cila më pas është zhdukur si dhe deklarimet që ka dhënë një polic, i bazuar në dëshminë e vajzës që pretendonte se ishte detyruar me forcë të prostituonte.Pafajësia Pas kësaj, më 9 korrik 2003, Gjykata e Padovas ka prishur vendimin e dënimit të shqiptarit duke i dhënë pafajësinë, vendim të cilin më 10 mars të vitit 2004 Gjykata e Kasacionit e ka lënë në fuqi. Pikërisht në bazë të këtyre vendimeve shqiptari ka përfituar dëmshpërblimin për qëndrimin e padrejtë në qeli, ndërsa Gjykata e të Drejtave të Njeriut në Strasburg i ka dhënë edhe 4500 euro dëmshpërblim për shkelje të procedurave dhe të drejtave të të arrestuarit. Sipas gjykatës, kjo shumë, që do të paguhet nga qeveria italiane, dëmshpërblen në masën e duhur të drejtat e shqiptarit Kollçaku, ndërkohë ato duhet t'i paguhen duke respektuar normat e interesit të Bankës Qendrore Europiane në një afat prej tre muajsh pas vendimit. 4500 euroËshtë sasia e dëmshpërblimit që ka akorduar Gjykata Europiane e Strasburgut për shqiptarin Dashamir Kollçaku, e cila do të paguhet nga qeveria italiane në favor të tij.