E Diel, 1 Nëntor 2026

Trafiku i pistoletave, 48 vjet burg për katër të pandehurit



“Pistoletat që më ka kapur policia kanë qenë të miat dhe tre personat që ndodhen me mua në këtë kafaz nuk kanë asnjë lidhje me to. Jeni duke na futur në gjakmarrje me njëri-tjetrin”, - ka deklaruar dje para togave të zeza në Gjykatën e Krimeve të Rënda i pandehuri Ahmet Ferhati, i akuzuar për “trafik armësh në bashkëpunim”. Por, ky deklarim i tij është kundërshtuar menjëherë nga prokurori i çështjes, Eugen Beci, i cili u shpreh se “i pandehuri po mundohet ta përdorë për presion gjakmarrjen”. Më pas, prokurori vijoi në konkluzionet përfundimtare të akuzës, duke deklaruar fajtorë për veprën penale të “trafikut të armëve” katër të pandehurit, duke i dënuar në total me 48 vjet burg. Për të pandehurit Zamir Kotrri e Rrahman Demaj u kërkua dënimi me nga 13 vjet burg, ndërsa për dy bashkëpunëtorët e tyre, Ahmet Ferhati e Artan Aliaj, u kërkua dënimi me nga 11 vjet burg secilin. Sipas përfaqësuesit të akuzës, Ahmet Ferhati i bleu katër pistoletat që iu kapën në një furgon pasagjerësh, nga një shtetas kosovar për llogari të të pandehurit Demaj. Pasi bleu këto pistoleta, sipas hetimeve, Ferhati u ngarkua nga Demaj t’i shiste ato në Shkodër te një person me të cilin kishte kontaktuar. Por, disa informacione policore zbuluan shitjen dhe vunë në pranga fillimisht dy të pandehurit Ferhati dhe Aliaj, ky i fundit i dërguar për blerjen e pistoletave të Ferhatit për llogari të Zamir Kotrrit. Përmes përgjimeve telefonike do të zbuloheshin dy kontraktorët e pistoletave, të cilët rezultuan Demaj dhe Kodri. Vlera e blerjes së pistoletave në Kosovë ishte 60 mijë lekë të reja. Ndërkohë që i pandehuri Artan Aliaj u kap nga policia në posedim të 13 mijë lekëve dhe 660 eurove, të cilat do të përdoreshin prej tij për blerjen e pistoletave. Kjo kërkesë e prokurorit nuk është pritur aspak mirë nga familjarët e të pandehurve në sallën e gjyqit, ndërsa avokatët kërkuan kohë të mjaftueshme për të përgatitur mbrojtjen.

Të pandehurit dhe masat e dënimit

Zamir Kotrri u dënua me 13 vite burg

Rrahman Demaj u dënua me 13 vite burg

Ahmet Ferhati u dënua me 11 vite burg

Artan Aliaj u dënua me 11 vite burg

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›