E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perkujtohet presidenti Rrugova akademi ne nderim te tij

Presidenti historik i Kosovës Ibrahim Rugova nderohet  sot në pesë vjetorin e vdekjes, me dy akademi përkujtimore. Një akademi tashmë tradicionale do të organizohet nga Lidhja Demokratike e Kosovës, ndërsa akademia tjetër nga Kryeministri në dorëheqje Hashim Thaçi, dikur një rival i fortë i tij politik. Rivalitet në mes të PDK-së dhe LDK-së apo normalizim i raporteve midis tyre në prag të negociatave për koalicionin e ardhshëm qeveritar?. Analistë në Prishtinë nuk përjashtojnë asnjërën mundësi, ndërsa pajtohen që është mirë që nga të gjithë nderohen figurat e tilla si ajo e Rugovës. 

“Përplasjet ose ndeshjet midis dy forcave politike më të votuar në vend PDK, dhe LDK lidhen me disa çështje të tjera. Ka disa vite që lideri i PDK-së ka ç’tensionuar ose ka ndryshuar kursin e vet ndaj Presidentit të nderë Rugova. Ju e dini që edhe autostradës që lidhë Shqipërinë dhe Kosovën t’i vë emrin e dr. Rugovës. Dhe në këtë kuadër janë dhënë sinjale që të tejkalohet ai hendeku i dikurshëm që ka qenë në mes të ashtuquajturit Krah i Luftës dhe Lëvizjes Paqësor që përfaqësohej dikur nga Rugova...Mund të jetë një presion që po duket diku që do t’i detyroi edhe njëherë që këto dy parti dhe AAK t’i çojë në koalicion të ri”, tha Muharrem Nitaj, analist politik.

“Do të ishte më së mirë që në nivel të shtetit të organizohet vetëm një përkujtim dhe atë duke i bashkuar gjitha ndjenjat dhe fuqitë rreth figurës së z. Rugova. Mirëpo fundi i fundit edhe LDK, të cilën e ka themeluar Rugova por edhe kryeministri z. Thaçi e ka të drejtën që ta shënoi këtë përvjetor. Do të më vinte keq sikur këto dy akademi të kuptoheshin si rivalitete kundër njëra-tjetrës”, u shpreh analisti politik Halil Matoshi.

Organizimi për herë të parë i një akademie në nderim të Rugovës nga Thaçi nga analistë politik shihet si vetëdijesim i klasës politike për të nderuar figurat e shquara politike të vendit. Analistët megjithatë thonë se kjo mund të jetë edhe një përpjekje për një koalicion të mundshëm PDK- LDK e ku do të përfshihej edhe AAK, për të cilin ka filluar të spekulohet ditëve të fundit. Përkujtimi i Rugovës nga ana e Thaçit shihet si hapi i parë në këtë drejtim.

Bul Salihu Azhornuar së fundi ( e premte , 21 janar 2011 )

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›