E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nisin bisedimet për Harbuzin

Galatasaray dhe Gençlerbirligi i kanë filluar bisedimet rreth transferimit të mesfushorit kosovar, Labinot Harbuzi te gjiganti turk.

Pas menaxherit të tij, këtë fakt e ka konfirmuar edhe vetë futbollisti me pasaportë suedeze. Sipas Harbuzit, Galatasaray ka shprehur interesim të madh për t’i siguruar shërbimet e tij. “Gjëja e fundit që e di është se udhëheqësit e klubit tim janë ulur dhe kanë biseduar me ata të Galatasarayt për mua. Ky i fundit ka bërë një ofertë për mua, por mbetet të shihet”, ka thënë 24 vjeçari për të përditshmen suedeze Sport-Expressen.

Pas përfundimit të kampionatit në Turqi, Harbuzi ka udhëtuar drejt Suedisë, ku planifikon të qëndrojë një muaj për pushime. Ai ishte transferuar verën e kaluar te Gençlerbirligi nga klubi suedez Malmo. Por, paraqitjet e tij të shkëlqyeshme këtë sezon u ranë në sy drejtuesve të Galatasarayt, që tash e do me çdo kusht mesfushorin kosovar. Mediat turke shkruajnë se vlera e Harbuzit është pesë milion euro.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›