Nisin punimet për ndërtimin e autostradës Tiranë-Elbasan, rruga e dytë më e rëndësishme pas asaj të Kombit
Berisha: Pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin- qytetarët e parë Basha dhe Hushi do presin shiritin
UPDATE- Kanë nisur punimet për ndërtimin e autostradës, Tiranë –Elbasan, që do të ndërtohet nga firma greke “Aktor”. Sot u bë shpërthimi i parë i tunelit , që do të afrojë Elbasanin me Kryeqytetin. I pranishëm në ceremoninë e fillimit të punimeve, ishte edhe kryeministri Sali Berisha. Kreu i qeverisë ka vlerësuar këtë vepër, duke i konsideruar atë të dytën për nga rëndësia në rang kombëtar. “Kjo pranverë e vitit 2011, në datën 29 prill, shënon fillimin e një ëndrre për miliona qytetarë shqiptarë. Kjo ëndërr do të realizohet në një hark kohor 18 mujor. Në këtë rrugë automjetet do të lëvizin me shpejtësi lëvizje 120 km në orë, shkurton së paku 50 minuta distancën e Tiranës dhe Elbasanit. Shkurton në 2/3 këtë distancë dhe de fakto bën Elbasanin qytetin më të afërt më Tiranën”- ka nënvizuar në fjalën e tij, kreu i qeverisë, Berisha. Kryeministri nënvizoi se autostrada mbipërgjysmon e rrugën e qarqeve të tjera, të Korçës, Dumresë dhe së shpejti Beratit, me kryeqytetin e vendit. Ai tha se autostrada i dhuron një kohë çdo qytetari, çdo udhëtari. Më tej ai u ndal në efekt pozitive që sjell kjo rrugë në ekonomi. “Kjo autostradë krijon rajonin më të madh të tregut në Shqipëri dhe në rajon. Tirana-Elbasani dhe Durrësi, shndërrohen një treg të përbashkët. Tregu i punës do të njoh dimensione krejt të reja. Qytetarët e Elbasanit të mund të punësohen në Tiranë dhe të shpenzojnë të njëjtën kohë, si qytetarët e Kombinati që punojnë diku afër spitalit “Nënë Tereza”. Autostrada shumëfishon potencialin turistik të Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit. Bën të mundur eksplorimin dhe zbulimin e potencialeve të turizmit që ka kjo zonë. Autostrada Tiranë-Elbasan fuqizon tregun, pasi fermerët e Korçës, Pogradecit, Dumresë do të arrijnë në një kohë të afërt, me atë që kapin epiqendrat e vendeve të tyre, drejt Tiranës”, tha kryeministri. Ai ka përgëzuar me tej të gjithë qytetarët e Elbasanit, të qytetit me aq merita në zhvillimin e vendit. Po ashtu kryeministri përshëndeti qytetarët e qarkut të Korçës, Beratit dhe Tiranës, pasi me këtë autostradë Tirana do të shndërrohet në metropolin më madh të Europës Juglindore. “Sot inaugurojmë tunelin e autostradës me 31 kilometra, ky segment është më i rëndësishme i Korridorit 8. Ky është segmenti më i kushtueshëm dhe më i rëndësishëm për boshtin e Jugut. Ky është projekti i dytë më i rëndësishëm kombëtar. “Aktor” është një emër i madh, jo në filma dhe skena teatri, por në punët publike nga më të mëdhatë, në Greqi dhe në rajon. Jam i gëzuar që firma “Aktor” do të jetë aq e madhe, sa në vendet e tjera, edhe në Shqipëri”- tha kryeministri. Ai nënvizoi se me ndërtimin e rrugëve, Shqipëri afrohet më shumë drejt Europës. “Ëndrra jonë europiane bëhet realitet me çdo rrugë që në bëjmë, me çdo mal që ne çajmë, Europa është për të ndërtuar, mbi pasuritë e pamasa që disponon ky vend dhe kjo tokë. Pranvera e vitit 2013, do të bashkojë Tiranën me Elbasanin dhe në këtë akt madhor do të presin shiritin, dy kryeqytetarët e parë të Bashkisë së Tiranës dhe bashkisë së Elbasanit, zoti Lulzim Basha,të cilin unë dua ta falënderoj në mënyrë të posaçme, sepse ishte zoti Basha që në vitin 2009, në fushatën e tij elektorale, ndjeu dhe përjetoi forcën dhe fuqinë e qytetarëve të Elbasanit, dhe në kohën kur ishte Ministër i Jashtëm, shpejtoi financimin e kësaj vepre me marrëveshjen me Emiratet e Bashkuara. Dua të falënderoj edhe z.Durim Hushi”, ka theksuar kryeministri. Ai tha se pas rrugës së kombit edhe në 8 mijë kilometra rrugë vështruara këto vite, ky segment është një korridor tjetër jetik, i sistemit rrugor të Shqipërisë, i cili do të jetë më moderni në rajon. “Dhe atëherë kryetari i opozitës, nëse do të jetë atëherë do të thotë se Berisha udhëton me reaktiv jo me helikopter”, tha Berisha.
...