Reforma, PD pro shtyrjes së afatit
• Partia Demokratike është pro shtyrjes së afatit të komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore.Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Astrit Patozi, gjatë një prononcimi për median theksoi se nisur nga rezultatet e deritanishme të arritura Kuvendi ta ndërmarrë një hap të tillë. "Gjatë gjithë kësaj kohe janë bërë një sërë përgatitjesh ndaj edhe unë besoj se ka nevojë për një shtyrje afati. Në rast se komisioni nuk do të pranojë dështimin sigurisht që do të shtyhet afati i tij. Vullneti i shprehur nga të gjitha palët nëse do të konkretizohet, atëherë brenda këtij mandati do kemi rezultate konkrete në realizimin e reformës zgjedhore, që për PD-në është një nga reformat kryesore dhe më të rëndësishme", tha Patozi. Ndërsa deputeti i PS-së, Islami, si bashkëkryetar i këtij komisioni theksoi, se "Në qoftë se ka vullnet dhe arrihet konsensusi këto tre-katër muaj janë të mjaftueshme për të bërë të gjitha ndryshimet. Në qoftë se do të ketë nevojë për të ndërtuar pikërisht këtë lloj vullneti dhe konsensusi koha mjafton".