Pronat, aleatët e PD të ndarë
• Kuvendi pritet të votojë sot pasdite për shfuqizimin e ligjit 7501 "Për tokën", si dhe për disa ndryshime për ligjin tjetër "Për kompensimin e pronës".Këto ndryshime janë paraqitur nga ana e republikanit Arjan Madhi. Nisma e paraqitur nga republikani kontestohet nga ana e opozitës, por së fundmi edhe nga ana e aleatëve të saj. Kështu deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi është deklaruar kundër abrogimit të ligjit 7501, duke e cilësuar si jo normale një nismë të tillë. Sipas tij, ndëshkimi i abuzimeve që janë bërë me këtë ligj nuk mund të bëhet me shfuqizime. Çështja tjetër që Peçi shtron është edhe fakti se pjesa më e madhe e fermerëve kanë marrë tokë me këtë ligj, i cili nuk mund të shfuqizohet, pasi ka një numër të konsiderueshëm që nuk kanë marrë ende titujt e pronësisë. Parlamenti pritet të tentojë për të katërtën herë radhazi që të votojë ndryshimet në ligjin e Pronës. Me shfuqizimin e ligjit 7501 shteti pretendon të krijojë një fond fizik pronash për t'u përdorur për kompensimin fizik.