PS-PSD, gati platforma e federatës
• PS dhe PSD janë shumë pranë inaugurimit të federatës së majtë.Aristir LumeziPlatforma e bashkëpunimit të tyre është tashmë në zyrat e të dy partive të cilat pritet ta diskutojnë atë në forumet drejtuese të tyre. Burime nga selia rozë pohuan, se vetë kreu socialist ka dhënë 'Ok' për platformën e përgatitur me ekspertë të të dy partive dhe pritet ta fusë në rendin e ditës të mbledhjes së ardhshme të kryesisë socialiste. Rregulloret e disa pikave statusore dhe mbarëvajtja e dialogut nuk e kanë lejuar mbledhjen e fundit të kryesisë së PS-së, të mbledhur në një nga komunat e rrethit të Lushnjës për të përfshirë platformën e të majtës së bashkuar në të. Ndërsa burime nga PSD pohuan, dje për gazetën se drejtues qendrorë të saj janë njohur me platformën e bashkëpunimit dhe pritet një diskutim formal i saj në forumin drejtues të kësaj partie. Miratimi i saj do të lejonte ngritjen e organeve të përbashkëta vendimmarrëse, si një komitet drejtues kombëtar i përbashkët, bashkimin e të dy grupeve parlamentare PS-PSD, por dhe programe politike dhe elektorale të përbashkëta mes dy partive. Përfaqësues nga dy partitë e majta pohojnë, se këto parti nuk do të shkrihen tek njëra-tjetra dhe këtu është fjala për partinë më të vogël të kësaj federate, siç është PSD-ja, por ajo do të mbetet një parti me identitetin e saj socialdemokrate. Ideja e krijimit të një federate të majtë është hedhur që një vit më parë, kur pesë partitë opozitare do të hidhnin firmat në një marrëveshje bashkëpunimi fillimisht për zgjedhjet e pushtetit vendor dhe më pas për zgjedhje të parakohshme me rastin e zgjedhjes së presidentit të Republikës. Ka qenë kreu socialist Edi Rama, që ka kërkuar që federata e majtë të nisë me bashkimin e PS me PSD. Ndërkohë që partitë e tjera të koalicionit të majtë, përfshi këtu dhe LSI-në e kanë kundërshtuar idenë e federatës së majtë në këtë periudhë. Kreu i PDS-së, Paskal Milo, tha dje se "aktualisht në Shqipëri nuk janë krijuar kushtet për organizimin e një federate të majtë". Duke sqaruar idenë e tij, se federata është një veprim i shpejtuar për momentin, Milo tha, se "ka disa arsye për të cilat kjo federatë nuk mund të krijohet aktualisht dhe arsyeja kryesore është pikërisht përçarja që ekziston brenda vetë partisë kryesore të së majtës, që është Partia Socialiste". Sipas tij, "një grup i veçantë deputetësh ndodhet edhe brenda strukturave të PS-së dhe të grupit parlamentar, por njëkohësisht edhe nuk ndodhet në këto struktura". "Kushti i parë për të menduar për një federatë në të ardhmen, është që të ketë një PS unike dhe të qëndrueshme në struktura dhe që të mos ketë halle të tilla të brendshme, që nuk e lejojnë atë që të mendojë për të realizuar një federatë bashkë me partitë e tjera". Por Milo sheh si pengesë për krijimin e federatës së majtë edhe LSI-në, e cila sipas tij, nuk mund të rikthehet dhe bashkohet me PS-në nga edhe ka dalë. Kreu i PDS-së propozon, krijimin e një platforme të përbashkët me të gjitha partitë e koalicionit opozitar, e cila duhet diskutuar thellë dhe mirë me strukturat e të gjitha partive, duke marrë miratimin e tyre dhe duke përfaqësuar interesat e të gjitha partive politike të këtij koalicioni."Para vitit 2009, ne nuk e konsiderojmë të përshtatshme krijimin e federatës, madje mënyra se si do të bashkëpunojnë partitë tona në vitin 2009 do të jetë një test real dhe i fuqishëm për të hedhur pastaj një hap përpara në çështjen e krijimit të një federate", tha Milo.Partitë bien dakord për: Ngritjen e një Këshilli të përbashkët kombëtar Funksionimin në një grup të përbashkët parlamentar Miratimin e programeve të përbashkëta politike, elektorale Miratimin e strategjive të përbashkëta elektorale Bashkëqeverisjen në rast të fitores në zgjedhje të përgjithshmeIlir MetaKryetari i LSI-së e ka konsideruar idenë e federatës së majtë jo realiste, e cila nuk mund të realizohet në këto momente. Sipas tij, LSI mbetet një parti me identitetin e saj të përcaktuar qartë. "Ideja e hedhur nga kolegu im, zoti Rama është e vjetër në kuptimin e përsëritjes së herëpashershme, ajo është jo realiste", është shprehur kreu i LSI-së.Kryesia e PSPlatforma e federatës së majtë që do të diskutohet në një nga mbledhjet e ardhshme të kryesisë, e cila duhet të marrë vendim për ta pranuar atë dhe për ta konkretizuar në një veprim real duke bërë të mundur për herë të parë në politikën shqiptare, krijimin e një federate të majtë. Federata e cila do të nisë me dy partitë e majta, PS-PSD do të kërkojë edhe përfshirjen në të dhe të partive të tjera të majta.Petro KoçiNjë pengesë serioze për krijimin e federatës së majtë pritet të jenë ish-kreu socialist Fatos Nano dhe mbështetësit e tij në PS. "Rihedhja e kësaj ideje është një moment i papjekur politik dhe një tezë që synon të mbulojë krizën ku është përfshirë marrëdhënia mes opozitës, si dhe krizën që është brenda PS-së. Ky projekt ka nevoje për vendime institucionale dhe jo për vendime private", është shprehur Petro Koçi.