E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nismat e PS, në votim në 18 mars. Ende jo konsesus për përmbajtjen

(UPDATE) Pas tre orëve debat në ambientet e byrosë parlamentare, konferenca e kryetarëve të Grupeve ka përcaktuar 18 marsin si ditën kur do të kalojë dhe hedhë në votë 2 projektligjet e socialistëve. Vetëm pak minuta pasi u konfirmua në krye të parlamentarëve socialistë, Gramoz Ruci i është drejtuar kryesisë së kuvendit ku ka qëndruar për orë të tërë. Draftet që i referohen njëri amendimit të ligjit për komisionet parlamentare dhe tjetri ngritjes së një komisioni të ri hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit, do të kalojnë direkt në seancë plenare pa kaluar hallkat e tjera kuvendore.

"Më shumë se cështje procedurash është cështje e vullnetit politik, për fat të keq nuk dëgjuam një ndryshim të vullnetit politik të maxhorancës. Përkundrazi u ndeshëm me pretendime proceduriale të cilat zgjatën deri në këtë orë dhe megjithatë përfundimisht u ra dakord që në datën 18 do të diskutohen të dyja nismat", bëri te ditur Gramoz Ruci, kreu i grupit parlamentar të PS.

Por gjatë tre orëve të debatit demokratët i kanë bërë të qartë kryekuvendorit socialist që nuk janë dakord me përmbajtjen e projektligjeve, të cilat sidoqoftë do të hidhen në votë. Deri në seancën e pas 2 javëve, sipas Astrit Patozit ka ende vend për negociata.

"Nuk mund të kishte konsesus për sa i përket përmbajtjes së tyre, pasi ne mendojmë që gjithcka duhet të jetë korrekt me Kushtetutën e vendit, vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjet e tjera të vendit. Të ulemi dhe të diskutojmë në mënyrë që ta bëjmë sa më të përshtatshme me Kushtetutën dhe ligjet e tjera të vendit të dy nismat ligjore të grupit parlamentar të PS ën mënyrë që të gjejmë një zgjidhje për të dy palët. Kjo mund të ndodhë dhe përpara shqyrtimit në seancë plenare nëse do të ketë vullnet politik nga pala tjetër", tha Astrit Patozi , kreu i grupit parlamentar të PD.

Mësohet se, Ruçi ka kërkuar që më parë të bëhet ndryshimi i ligjit aktual për komisionet hetimore dhe më pas të ngrihet ngritja e komisionit për 28 qershorit sipas propozimit të opozitës. Megjithatë ai ka lënë evaziv faktin nëse 64 deputetët e majtët do të jenë të pranishëm në Kuvend deri në seancën e 18 marsit.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e martë , 02 mars 2010 ) < I mëparshmi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›