E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nivelet e dyta, Berisha emëron 8 zëvendësministra

Autori i Lajmit: Suela Topi
Kryeministri Sali Berisha mbyll marrëveshjet me aleatët e tij dhe për nivelet e dyta të qeverisë. Gjatë mbledhjes së djeshme të Qeverisë është bërë emërimi i 8 zëvendësministrave duke siguruar 6 poste për Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërkohë që është ruajtur posti i zëvendësministrit të Partisë Republikane. Këto ndryshime janë diktuar jo vetëm nga detyrimet ndaj aleatëve, por dhe për shkak të zgjedhjes së një pjese të zëvendësministrave si deputetë të Kuvendit të Shqipërisë.
Zëvendësministrat që kanë paraqitur dorëheqjen përpara zgjedhjeve të 28 Qershorit dhe kanë lënë detyrën për t u ulur në karrigen e deputetit janë: Gent Strazimiri tek Ministria e Brendshme, Adriana Gjonaj në Ministrinë e Arsimit dhe të Shkencës, Florion Mima dhe Sherefedin Shehu tek Ministria e Financave. Jashtë kabinetit ka mbetur dhe demokristiani Anton Gurakuqi. Kreu i Qeverisë nuk ka preferuar të bëjë ndryshime radikale në kabinet duke mbajtur në postet e tyre ekzistuese një pjesë të mirë të zëvendësministrave demokratë, si Edith Harxhi, Ferdinand Poni apo Iva Zajmi.
Zëvendësimet
Sipas vendimit të djeshëm të Qeverisë, në rolin e zëvendësministrit të Integrimit pozicionohet Edmond Hoxha, i cili ka zënë vendin e Albert Gajos. Republikani Aleksandër Garuli ia lë postin e tij të zëvendësministrit të Mjedisit, Auron Menerit, duke ulur kështu përfaqësimin e PR-së në nivelet e dyta. Posti i zëvendësministrit të Bujqësisë i është lënë përfaqësuesit të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Tokli Thomai. Një tjetër emër nga LSI, Filloreta Kodra, do të mbajë postin e zëvendësministres së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Ndërkohë që ashtu siç ka pretenduar, LSI ka mundur të sigurojë dhe postin e zëvendësministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit. Edmond Haxhinasto është emëruar në vendin e Stavri Ristanit në Ministrinë e Transporteve. Nora Malaj zë vendin e lënë bosh nga deputetja Adriana Gjonaj në Ministrinë e Punës, Çështjeve Socialiste dhe Shanseve të Barabarta dhe Leonard Beqiri emërohet zëvendësministër i Ekonomisë. Zëvendësministër i Financave, pas largimit të Florion Mimës dhe Sherefedin Shehut është emëruar Alfred Rushaj.
Të larguarit
Në bazë të vendimit të Këshillit të Ministrave referuar nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2 të nenit 6 të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, emrat që largohen nga përbërja e kabinetit qeveritar janë Albert Gajo, Aleksandër Garuli, Ndue Preka, Marjeta Zaçe, Stavri Ristani dhe Anton Gurakuqi. Për zëvendësministrat aktualë nuk është marrë një vendim spostimi dhe nuk është pranuar largimi i tyre. Pjesa tjetër e zëvendësministrave, që nuk preken nga ky vendim, do të vazhdojë detyrën në zyrat e tyre deri në një urdhër të dytë. Kryeministri ka preferuar të mbajë disa prej bashkëpunëtorëve të tij në nivelet e dyta si Ferdinand Poni, Edith Harxhi, Iva Zajmi, Kastriot Sulka, Jorida Tabaku, por edhe Neritan Alibali, i cili përfaqëson Partinë Republikane.

Emërimet e reja
Zëvendësministër i Integrimit, Edmond Hoxha.
Zëvendësministër i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Auron Meneri
Zëvendësministër i Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorëve, Tokli Thomaj
Zëvendësministre e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Filloreta Kodra
Zëvendësministër i Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Edmond Haxhinasto
Zëvendësministër i Financave, Alfred Rushaj
Zëvendësministre e Arsimit dhe e Shkencës, Nora Malaj
Zëvendësministër i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Leonard Beqiri

Meta emërohet kryenegociator i integrimit

Qeveria Berisha emëroi dje zëvendëskryeministrin dhe ministrin e Jashtëm, Ilir Meta, si kryenegociator në procesin e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. “Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 5, të ligjit nr.9000, datë 30.1.2003, “Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave”, me propozimin e Kryeministrit, Këshilli i Ministrave vendosi se zëvendëskryeministri dhe ministër i Punëve të Jashtme drejton dhe ndjek me përparësi të gjithë procesin e integrimit të vendit në BE dhe atë të liberalizimit të vizave”, - thuhet në vendimin e djeshëm të Ekzekutivit. Ky vendim duket se lë në hije ministren e Integrimit, Majlinda Bregu, një dikaster ky i krijuar vitet e fundit posaçërisht për çështjet e integrimit të vendit në NATO dhe BE, i fokusuar së fundi në negociatat e Shqipërisë me Bashkimin Evropian dhe procesin e liberalizimit të vizave.
Ky lajm është publikuar: 09/10/2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›