E Diel, 1 Nëntor 2026

Serbët e Kosovës bojkotojnë Beogradin

Serbët e Kosovës bojkotojnë Beogradin zyrtar dhe thirrjen për të mos marrë pjesë në zgjedhjet vendore të 15 nëntorit në Kosovë. Shumica e partive politike serbe të Kosovës kundërshtojnë qëndrimin e qeveritarëve të Serbisë, që serbët të mos dalin në zgjedhjet e 15 nëntorit. Vlerësimet u bënë në debatin e djeshëm të organizuar nga Qendra Mediale në Çagllavicë, me temën "A duhet serbët e Kosovës të marrin pjesë në zgjedhjet lokale". Liderët e disa partive serbe që veprojnë në Kosovë nuk duan të dëgjojnë Beogradin zyrtar për të mos dalë në zgjedhjet lokale në Kosovë. Ata kritikojnë madje edhe deklaratat e zyrtarëve të qeverisë së Serbisë se po frikësojnë serbët, se nëse votojnë do të ndëshkohen edhe me largime nga puna. Momcilo Trajkoviç, kryetar i Lëvizjes së Rezistencës Serbe, duke iu referuar deklaratave që vijnë nga Serbia, tha se tradhti është frikësimi i banorëve, e jo pjesëmarrja në zgjedhje. "Tradhti për mua është që ta lësh popullin në konfuzion dhe në mëshirën e askujt. Nuk është në rregull të stimulosh zgjidhje të kota, sepse me këtë në fund të fundit edhe komprometohen institucionet serbe që kanë bërë më së shumti që qytetarët serbë të mbeten në kushtet më të vështira", ka thënë Momcilo Trajkoviç. Sllavisa Petkoviç, kryetar i Partisë Demokratike Serbe, thotë se është për keqardhje që dëgjohen zëra kundër zgjedhjeve. Ai tha se e vetmja mënyrë që serbët të jetojnë mirë është qeverisja me vetveten. "Kemi ardhur në një situatë që i vetmi dokument që na është ofruar tash e dhjetë vite në Kosovë, është plani i Ahtisarit. Kurse atë që e ka ofruar Prishtina, por edhe Beogradi, janë disa institucione të dobëta që kanë menduar vetëm për vete, e jo për qytetarët", ka theksuar Sllavisha Petkoviç. Ndërsa i vetmi që kundërshtoi pjesëmarrjen në zgjedhje ishte përfaqësuesi i Këshillit Nacional Serb, Dragan Veliç. Ai tha se nuk ka kushte që serbët të votojnë më 15 nëntor. "Në këtë mënyrë pranojmë gjendjen, e cila është që nga viti 1999, që do të thotë spastrim etnik i serbëve nga Kosova dhe për këtë arsye edhe nuk duhet të dalim në zgjedhje. Këtë ne nuk mund ta pranojmë", ka thënë Dragan Veliç. Ndryshe në një sondazh që është bërë me banorët e Graçanicës, në muajin nëntor, thuhet se 28 për qind e serbëve janë deklaruar se do të dalin në zgjedhje, 40 për qind nuk kanë asnjë qëndrim, kurse 30 për qind e tyre nuk mendojnë se do ta bëjnë këtë.
Sejdiu
Ndërkaq, Presidenti i Kosovës, Fatmir Sejdiu, i ka bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar që të ushtrojë trysni mbi Beogradin, për t‘i dhënë fund mbështetjes së strukturave paralele në Kosovë, të cilat, sipas tij, nuk janë as në interesin e vetë qytetarëve serbë. Në një intervistë për "Zërin e Amerikës", Sejdiu tha se forcave politike në Serbi, të cilat janë mbështetur nga komuniteti ndërkombëtar, duhet t‘u thuhet se veprimet e tyre nuk janë në pajtim me këtë mbështetje. Presidenti Sejdiu tha se "Beogradi nuk e ka dëshmuar pro europianizmin e vet", por përkundrazi ka disa qasje të tjera për të krijuar paralele, sepse kanë mbështetje të fortë nga Rusia. Duke iu referuar vizitës së para disa ditëve të Presidentit të Federatës Ruse, Medvedev, në Beograd dhe deklaratave të tij për Kosovën, Presidenti Sejdiu mesazhet e Medvedevit i quajti "joracionale", të cilat, siç tha, pengojnë një "lëvizje pozitive", në politikat properëndimore që disa vendet duhet të kenë. Ndërkaq, duke folur për situatën në veri të vendit, Presidenti Sejdiu kritikoi mungesën e një qasjeje më të vendosur të pranisë civile ndërkombëtare ndaj gjendjes në veriun e Kosovës, siç tha, jo nëpërmjet forcës, por veprimeve që tash po bëhen hap pas hapi nga misioni i Bashkimit Europian për policinë dhe drejtësinë. Presidenti Sejdiu beson se njohje të reja të Kosovës do të ndodhin së shpejti dhe posaçërisht pas mendimit të gjykatës që, sipas tij, do të jetë në favor të Kosovës. "Atë që unë e pres, do të jetë mbështetje e vullnetit politik. S‘mund të jetë vendim tjetër, s‘mund të jetë qëndrim tjetër i shprehur. Nuk ka fuqi argumentesh që mund ta rrëzojnë një lëvizje të karakterit ‘sui generis‘ në të gjitha zhvillimet që ka pasur Kosova", është shprehur i bindur Presidenti Sejdiu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›