Shkup-Prishtinë, ambasadat hapen pas tre muajsh
Maqedonia dhe Kosova, pas më pak se 100 ditëve, do të emërojnë ambasadorët e tyre në Prishtinë dhe në Shkup, për të hapur një fazë të re në marrëdhëniet e ndërsjella. Ky ka qenë thelbi i takimit që është zhvilluar dje në kryeqytetin maqedonas nga ministrat e Jashtëm të të dyja vendeve, përkatësisht, Skënder Hyseni dhe Antonio Milloshoski. "Ky takim do të hapë një faqe të re cilësore midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Kosovës. Konsideroj se kjo do t‘u shërbejë jo vetëm të dyja vendeve, por edhe zhvillimit plotësues të stabilitetit dhe bashkëpunimit ekonomik në rajon", theksoi Milloshoski. Shefi i diplomacisë maqedonase vuri në dukje se hapja e ambasadës nuk është më çështje e vullnetit politik, por çështje e protokollit dhe e kohës dhe se pret që kjo procedurë të zgjasë dy deri tre muaj. Nga ana e tij, ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni, vlerësoi se me takimin e sotëm të parë zyrtar me Milloshoskin në Shkup hapet një bashkëpunim i ri ndërmjet dy vendeve, ndërsa partneritetin që pritet ta ndërtojnë do të shërbejë si model për qasje pozitive në rajon, tha ai. Të dy ministrat theksuan se në takim është biseduar për intensifikimin e mëtejshëm të bashkëpunimit, ndërkaq një interes i veçantë është shprehur për energjetikën, tregtinë dhe bashkëpunimin policor. Milloshoski, mes të tjerash, u fokusua në përfundimin me sukses të demarkacionit të kufirit Maqedoni-Kosovë. "Maqedonia është vendi i vetëm nga Sllovenia deri në Qipro, i cili i ka shënuar tërësisht kufijtë e saj. Me këtë, Maqedonia konfirmoi se është e gatshme të zgjidhë çdo çështje kur ka partner konstruktiv nga ana tjetër", tha Milloshoski. Hyseni, i cili qëndron për vizitë të parë zyrtare në Republikën e Maqedonisë, dje është takuar edhe me Presidentin Gjorge Ivanov dhe me Kryeministrin Nikolla Gruevski. Shefi i diplomacisë kosovare është takuar edhe me nënkryetarin e Kuvendit, Rafiz Haliti, si dhe me përfaqësuesit e partive parlamentare shqiptare.