E Diel, 1 Nëntor 2026

Një 80-vjeçar, strehoi natën e parë të lirisë, Bujar Dakën

12/02/2005  Policia e Shkodrës dyshon se i arratisur i tretë, nuk e ka kapërcyer kufirin

SHKODËR - Bujar Daka i ka shpëtuar për mrekulli aksionit të policisë për kapjen e tij. Blutë kanë mbërritur pikërisht në shtëpinë ku mendohet se ai ka fjetur natën e parë pas arratisjes. Një xhaketë, një bluzë janë provat e vetme, që policia ka për momentin në dorë si dhe një 80-vjeçar, i gjendur në shtëpinë në fjalë. Këto të dhëna janë për momentin dhe kyçi i punës së policisë. Lidhjet e mundshme të djemve të 80-vjeçarit me Bujar Dakën, lëvizjet e tyre janë tashmë në qendër të punës së bluve. Megjithëse aksioni për kapjen e Bujar Dakës vazhdon me intensitet të plotë, ai endet akoma i lirë.

Kontrollet

Janë kontrolluar mbi 20 banesa, në të cilat mendohet se mund të ketë lëvizur Bujar Daka. Forcat e komisariatit të policisë Shkodër dhe ato speciale, të ardhura për përforcime nga Tirana nuk e kanë ndaluar për asnjë çast punën e tyre në kërkim të Dakës. Ata po patrullojnë dhe kontrollojnë çdo rrugë si dhe kanë ngritur postblloqe të shumta në pikat kyçe, që mund të jenë mundësi kalimi e të arratisurit. Kështu, ata po kontrollojnë me imtësi rrugën nga Shkodra në drejtim të pikave kufitare të Hanit të Hotit dhe të Muriqanit. Po kontrollohen automjetet në rrugën Shkodër–Pukë dhe Shkodër–Lezhë.

Për t’u theksuar është fakti që policia ka krehur dhe ka kontrolluar të gjithë zonën përreth komisariatit Shkodër, si dhe shtëpitë përreth, në të cilat mund të dyshohej se është fshehur i arratisuri. Varianti se ky shtetas mund të ketë kaluar në shtetin fqinjë të Malit të Zi, erdhi si rezultat se Bujar Daka ka pasur lidhje me disa shtetas malazezë në kohën kur merrej me tregti me këtë shtet. Por ky variant lë për të dyshuar po t’u referohemi burimeve nga policia, të cilat shprehen se gjatë kontrollit të ushtruar në banesat e zonave periferike të qytetit të Shkodrës është arritur që të gjendet xhaketa dhe një bluzë e të arratisurit Daka.

Provat

Këto rroba u gjetën në banesën e një shtetasi në periferi të qytetit të Shkodrës, emri i saktë i zonës dhe i pronarit të shtëpisë nuk bëhet i ditur për të mos ndikuar në aksionin e policisë. Nga ana tjetër, largimi i Dakës për në Mal të Zi bie poshtë si variant edhe nga deponimet para hetuesisë së Arben Nikës, i cili mësohet se ka deklaruar se ishte ai që ka vëzhguar për dy muaj lëvizjet e rojeve të paraburgimit dhe ishte ai që e kishte organizuar arratisjen dhe se Bujar Daka nuk ishte larguar bashkë me ata pas arratisjes nga qelitë. Daka ishte ndarë prej tyre sapo kanë kaluar murin e policisë, duke u thënë se nuk ishte në gjendje ta përballonte rrugën në këmbë dhe se nuk mendonte të largohej për në Mal të Zi.

Hetimet

Megjithatë, hetimet e deritanishme kanë arritur në përfundimin se Bujar Daka ka qenë më i organizuar në vetvete. Sipas këtyre burimeve, ai është ndarë nga grupi jo për gjendjen e tij shëndetësore, sesa për faktin se i vetëm mund t’i fshihej më mirë aksionit të policsë. Po kështu, kjo lidhet me faktin se Bujar Daka ka pasur lidhje në zonat periferike të Shkodrës. Shërbimi i Kontrollit të Brendshëm nga ana tjetër po heton përfshirjen e policëve të Drejtorisë së Policisë së Shkodrës në arratisjen e tre personave të njohur për varsjet e tyre. Deri tani nën akuzë direkte janë vetëm dy policë, Franko Kolpepaj dhe Shan Vatnikaj. Dje është lënë i lirë nënoficeri i rojes së turnit të dytë, i cili u mbajt i shoqëruar, pasi nga hetimet e deritanishme nuk ka rezultuar i përfshirë në arratisje. Ndërsa dy policët rojë të këtij turni vazhdojnë të jenë të ndaluar për arratisjen e bujshme.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›