E Diel, 1 Nëntor 2026

Një Ballkan Perëndimor plot kufij ërballë një Europe... pa kufi!

Ballkani Perëndimor është një rajon me shumë kufij dhe pikëkalimesh kufitare dhe ky fakt, me të vërtetë i bën komplekse përpjekjet e Bashkimit Europian që t‘i modernizojë dhe t‘i pajisë ato, pasi kërkojnë shumë angazhim, mbështetje e para, madje jo pak. Në një konkluzion të tillë arrin Gjykata Europiane e Revizionit në një raport të saj për rajonin tonë, që është publikuar ditët e fundit dhe në të cilin, midis të tjerave, vihet në dukje se shpërbërja e Jugosllavisë së dikurshme krijoi afro 5 000 km kufij ndërkombëtarë të rinj, që tani kërkojnë shumë mjete financiare që të kontrollohen dhe të mos pengojnë komunikimin si brenda rajonit, ashtu edhe me vendet e Bashkimit Europian. Sa për ilustrim, kjo shifër është përafërsisht sa gjatësia e Perdes së Hekurt, 20-vjetori i rënies së të cilës do përkujtohet këtë javë dhe që nga Rusia deri në Bullgari, duke kaluar përmes gjithë Europës Lindore, arrinte deri në 7 000 km kufij. Megjithëse duket e pazakontë, duhet theksuar fakti se kaq shumë kufij në një hapësirë të tillë të vogël, sikurse është Ballkani Perëndimor, sa nuk ka asnjë rajon tjetër i Europës. Kështu, në qoftë se në territoret e vendeve të BE-së mund të ecësh me makinë ditë dhe natë të tëra pa ndeshur ndonjë pikëkalimi kufitar, në rajonin ballkaniko-perëndimor ato i ndesh në pothuajse çdo dy orë, për të mos thënë edhe më pak se aq. Që me fjalë të tjera do të thotë se përballë një Europe pa kufij ndodhet një Ballkan me plot kufij dhe me një numër mjaft të madh pikëkalimesh kufitare, pa folur për ato që po ndërtohen ose planifikohen të ndërtohen.

Aktualisht, sikurse vinte në dukje ditët e fundit gazeta maqedonase "Utrinski Vesnik", në rajonin e Ballkanit Perëndimor ka rreth 300 pikëkalime kufitare tokësore, detare dhe lumore. Vetëm Kroacia momentalisht ka 189 pikëkalime kufitare, ndërkohë që ka kufij të pazgjidhur me Slloveninë, Serbinë, Malin e Zi dhe Bosnjë e Hercegovinën, ndërsa Serbia ka 54 të tillë, duke mos llogaritur ato me Kosovën ose Malin e Zi. Maqedonia, nga ana e saj, ka 20 pikëkalime kufitare me Shqipërinë, Greqinë, Serbinë dhe Kosovën, pa përmendur edhe pesë të tjera që po përgatiten të hapen. Gjithë ky numër i madh pikëkalimesh kufitare bëri që Gjykata Europiane e Revizionit të deklarojë se, në fakt, në arkën e BE-së nuk ka aq shumë para për financimin e tyre, qoftë edhe të atyre pikëkalimeve që ndodhen drejtpërdrejtë në rrugët dhe linjat ndërkombëtare. Në këto kushte, kjo gjykatë në raportin e lartpërmendur kërkon që në të ardhmen të mos financohen projektet kombëtare, por t‘u jepet përparësi atyre rajonale, ndërkohë që një numër pikëkalimesh kufitare të jenë të përbashkëta, sikurse është e tillë për shembull ajo e Muriqanit në kufirin mes Shqipërisë dhe Malit të Zi, me qëllim që përdorimi i tyre të jetë sa më racional dhe i efektshëm. Ironik është sidomos fakti se për një bashkëpunim më të mirë ndërkufitar e rajonal, për kontakte më të shpeshta mes njerëzve dhe kalimin e ndërsjellë të mallrave në të dyja drejtimet duhet të ketë më shumë pikëkalime kufitare. Në këto kushte, ky fakt absurd përbën një arsye bindëse tjetër në favor të asaj që Ballkani Perëndimor të hyjë sa më shpejt në BE, që të bien "muret e vegjël të Berlinit" ose, të paktën, tani për tani të krijohet një lloj zone Shengen ballkanike e përkohshme, sipas shembullit të BE-së ose të vendeve të Skandinavisë.

I pyetur lidhur me faktin e çuditshëm se përse BE-ja financon ngritjen dhe pajisjen e pikëkalimeve kufitare mes vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërkohë që dihet se, mbas pranimit të tyre në BE ato nuk do të jenë të nevojshme, zëdhënësi i Gjykatës Europiane të lartpërmendur, me rastin e publikimit të raportit të mësipërm të saj, u përgjigj: "Është e vërtetë se kur të gjithë këto vende të bëhen anëtarë të Bashkimit Europian, nuk do të ketë më kufij. Por procesi i pranimit të tyre në BE do të zgjasë, ndërsa për ne, momentalisht, është jashtëzakonisht e rëndësishme që këta kufij të jenë të sigurt. BE-ja, tani për tani, synon dhe është gati të ndihmojë me mjete të ndryshme, përfshi edhe financiare, që kufijtë ballkanikë të bëhen sa më të padepërtueshëm për eksponentët e krimit të organizuar dhe emigrantët e paligjshëm". Por, megjithatë, me gjithë përpjekjet e Brukselit dhe ashtu si qëndrojnë punët sot e kësaj dite, niveli i sigurisë së kontrollit të pikëkalimeve kufitare në vendet ballkanike është larg atij që kërkojnë kriteret e BE-së. Sa për ta bërë më të qartë situatën absurde që ekziston aktualisht lidhur me kufijtë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, mjafton të përmendim se gjatësia e përgjithshme e kufijve tokësorë në BE është afro 12 440 km, ndërkohë që në vendet e tij jetojnë rreth gjysmë miliard njerëz, ndërsa në vendet e Ballkanit Perëndimor nuk jetojnë më shumë se 20 milionë njerëz!

M.Sinemati

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›