E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prokuroria britanike zbardh provat ndaj kosovarit të akuzuar për terrorizëm

Në ditën e tretë të procesit gjyqësor në ngarkim të Krenar Lushës, i cili akuzohet për terrorizëm, Prokuroria Britanike ka shpjeguar të gjitha provat që e implikojnë atë si të dyshuar në përgatitjen e kryerjes së akteve terroriste. Materiale në formë video se si përgatitet eksplozivi, ato të vrasjes së një ushtari amerikan, përfshi qindra klipe që janë gjetur në kompjuterin e Lushës i janë treguar gjykatës. Shqiptari 30 vjeç me origjinë nga Kosova i mohon të dhjetë akuzat për përfshirje në terrorizëm. Prokurori Nigel Godsmark i ka treguar jurisë në këtë proces gjyqësor, një material filmik 26 minutësh, që tregon se si mund të ndërtohet një brez me eksploziv për sulme kamikaze, gjetur në kompjuterin e Lushës. Ndër materialet e tjera gjetur në kompjuterin e tij janë edhe një manual elektronik për përdorimin e kallashnikovit, aktivizimin e detonatorëve, si edhe përdorimin e celularëve për t‘i kthyer në detonatorë shpërthyes. Gjatë arrestimit të Lushës, policia, krahas materialeve audio-vizive, gjeti edhe 14 celularë, 71.8 kg karburant, 2 kg nitrat që do të shërbenin për ndërtimin e bombave artizanale. Përpara arrestimit, Krenar Lusha mbahej nën survejimin e skuadrës së antiterrorit. Prej përgjimit kur ai bisedonte me njerëz të tjerë përmes internetit, është kapur një bisedë, në të cilin ai i thoshte bashkëbiseduesit se kërkonte të hakmerrej ndaj qeverisë britanike që kishte burgosur një mik të tijin. Së bashku me Lushën në këtë proces akuzohen edhe katër shtetas britanikë me origjinë pakistaneze.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›