E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Një PS përtej së majtës shkon tek e djathta”

Autori i Lajmit: red.
Lëvizja Institucionale zhvilloi takimin e radhës në njësinë nr. 10 të Bashkisë së Tiranës. Në takimin ku merrnin pjesë anëtarë dhe kryetarë organizatash të PS-së të kësaj njësie, u theksua me shqetësim shkatërrimi i institucioneve të partisë dhe privatizimi i administrimit organizativ në të gjitha strukturat. Kreu i Lëvizjes, Petro Koçi, vuri në dukje nevojën e shndërrimit të PS-së në një shtëpi të lirive politike dhe demokratike. “Një parti me anëtarësi memece ndaj problemeve të brendshme, nuk vjen dot në pushtet. Kultivimi i nënshtrimit ndaj udhëheqjes së partisë e ka çuar në minimum vetëveprimin dhe iniciativën politike opozitare të PS-së”, - tha ai. Sipas Koçit, referendumi për mbrojtjen e Kushtetutës është rruga e bashkimit të së majtës. Sipas tij, ndarja e grupit parlamentar nga të gjitha partitë e majta për t u bashkuar me Sali Berishën në lidhje me Kushtetutën përbën atentat jo vetëm ndaj vlerave demokratike të demokracisë, por edhe ndaj kohezionit të së majtës. “Një PS përtej së majtës shkon tek e djathta”, - vijoi Koçi. Takimet do të vijojnë edhe në njësitë e tjera të Bashkisë së Tiranës.
Ky lajm është publikuar: 11/06/2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›